Paraliza antikorrupsion e Edi Ramës

Publikuar tek: analiza-komente, më 12:18 09-11-2015 Paraliza antikorrupsion e Edi Ramës Anila Basha, drejtore e newsbomb.al

Anila Basha

Rëndom në Tiranë dhe në rrethe tregohet si barcaletë, por që është e vërtetë, historia e një gjyqi në kohën e diktaturës, rreth viteve ’80, për çështje divorci.

Partia atëkohë, kishte dhënë orientimin se për të mbajtur familjet e forta dhe solide, gjyqtarët, sa herë të kishin raste divorcesh, duhet t’i orientonin çiftet që të provonin edhe njëherë të jetonin bashkë, ta falnin njeri tjetrin, të ktheheshin te organizatat bazë të partisë, të dëgjonin masat dhe të ruanin familjen. Problemi më i madh ishin rastet e flagrancës që askush nuk kishte çfarë t’u bënte.

“E ke me të dëgjuar që gruaja shkon me një tjetër” e pyet gjyqtari personin që kërkonte divorcin. “Jo zoti Gjyqtar, i kapa vetë”, i përgjigjet ky i fundit.

“Po ku i kape, si?” vazhdon këmbëngulës gjyqtari që nuk donte ta bënte këtë divorc. “Po në shtëpinë tonë i kapa, timen, ishin të dy”. “Po çfarë po bënin?” “Po ishin bashkë në dhomën e gjumit”. “Dakord, në dhomën e gjumit po ç’a, ç’a bënin” ngulmonte gjyqtari. “Ishin në krevat zoti gjyqtar”. “Po të mbuluar ishin” vazhdon gjyqtari që donte t’i tregonte qytetarit se çifti nuk ishte duke bërë diçka. “Jo zoti gjyqtar, ishin zbuluar. Ai ishte sipër”, përgjigjet qytetari që vazhdonte të ngulmonte se gruan e kishte kapur në flagrancë. “Po faktin e pe ti?” ishte pyetja e gjyqtarit. “Zoti gjyqtar, s’pata mundësi ta shifja faktin, fakti ishte brenda”, u përgjigj qytetari me një batutë që u bë “hit” në atë kohë, dhe gojë me gojë, vazhdon të tregohet dhe sot e kësaj dite. 

Nuk do të më kujtohej kjo histori gjyqi e diktaturës për një çështje divorci, nëse sot, nuk do të ishim përballë situatës që kryeministri nuk do të dëgjojë ankesat që i vijnë  jo vetëm nga qytetarët, por edhe nga deputetët, strukturat e gjithë shkallët poshtë piramidës qeverisëse, për korrupsionin, ku indekset që pritet të dalin këtë fundvit, apo edhe perceptimi i tij në shkallë të gjërë, vazhdon të rritet.

Nuk dua të merrem fare me çështjen nëse vetë Edi Rama është “i kapur” kur thuhet se korrupsioni ndodh sepse kryeministri ka përqindjen e vet. Lejet e ndërtimit që ka “stafetuar” këto muajt e fundit, dhe që i janë nënshtruar një debati dhe perceptimi publik negativ, nuk e nderojnë. Ai nuk i ka dhënë ato leje, as në momentin e tij më të keq kur ishte kryetar bashkie.

Edhe nëse do të ishte “i kapur” minimalisht do të fillonte të dëgjonte qytetarët për të lëvizur ndonjë gurë. Perceptimi i përgjithshëm në popull, ajo që lexohet në rrjetet sociale apo në telefonatat e qytetarëve, është se pasi doli fjala se do të ketë ndryshime në kabinet te ministrat, këta të fundit, dhe drejtorët e përgjithshëm poshtë tyre janë bërë të papërmbajtshëm. Sepse kushdo, e konsideroi këtë periudhë si momentin e fundit.

Përballë një opozite apatike, që lufton me deklarata shtypi dhe jep spektakël në parlament, Edi Rama, shton ditët e tij të qeverisjes duke kërkuar fakte e duke përgënjeshtruar çdo deklaratë në një portal ngritur enkas për këtë punë, por pa fakte që të vërtetojnë “barrën e provës”.

Shumica e opinioneve po ashtu, është drejtuar kundër aspekteve të ndryshme të keqqeverisjes. Ka ardhur momenti që secili prej nesh shkruan tashmë jo për Ramën. Sepse kryeministri, nuk do të dëgjojë. Ka arritur në një pikë që kujtdo që i ngre shqetësimet për probleme të tilla, Rama u kërkon fakte. U kërkon prova.

Edi Rama në postin e kryeministrit kërkon faktin, por duke iu rikthyer historisë së barcaletës, fakti është brenda xhepave të zyrtarëve dhe qeveritarëve të lartë, e në llogari bankash të padeklaruara brenda dhe jashtë vendit, apo edhe në persona të tretë. Një kryeministër, nuk mund të kërkojë fakte në çdo moment dhe të përpiqet nëpërmjet faktit të dalë nga situata. Faktin e kërkon, prokurori, gjyqtari.

Një kryeministër, vepron në bazë të perceptimit publik dhe politik. Dhe merr vendimet e duhura. As Rama e askush tjetër, nuk mund t’i konsiderojë njerëzit “të marrë”. Duket se kryeministrin dhe enturazhin e tij i ka kapur një lloj euforie e pabazuar tek çfarë ndodh në bazë realisht. Teoria se populli nuk do të votojnë Berishën, apo Bashën, nuk është mënyra sesi kjo maxhorancë e votuar masivisht, mund të ecë.

Sepse duhet thënë, se pavarësisht retorikës e fjalimeve brilante, kryeministri nuk mund të vazhdojë të mbështetet vetëm te ajo. Vjen një moment, që oratoria kthehet në mashtrim. Njerëzit të neverisin. Sepse edhe oratoria mund të përdoret deri diku, deri në kufirin ku mund të fshihen gënjeshtrat. Sepse qytetarët nuk do të thonë më: doli ky oratori? Por, shpreja që do të dëgjojmë më shpesh do të jetë: doli ky mashtruesi?

Sondazh

Article Logic
Execution time: 0.026998996734619
array(1) { ["section"]=> string(41) "paraliza-antikorrupsion-e-edi-rames-25013" }