Sipas parashikimit të Qendrës Europiane të Përmbytjeve, në 3 ditët në vijim në vendin tonë pritet të ketë reshje të dendura shiu. Sasia më e madhe parashikohet të regjistrohet në datën 5 mars.
Sipas këtij parashikimi intensiteti më i lartë i reshjeve pritet në pjesën Veriperëndimore të vendit. Do të ketë shtrëngata shiu dhe breshëri të shoqëruara me shkarkesa elektrike. Po ashtu do të ketë reshje bore në pjesën e dytë të ditës në lartësitë mbi 700 metra mbi nivelin e detit në pjesën Verilindore të vendit dhe kryesisht në zonën e Alpeve.
Sipas Drejtorisë së Përgjithshme të Emergjencave Civile, janë marrë të gjitha masat për vënien në gadishmëri të kapaciteteve njerëzore dhe teknike.
Moti i keq dhe deti i trazuar kanë sjellë vonesa dhe vështirësi në ankorimin e anijeve në Portin e Durrësit. Trageti “Bari” është ankoruar rreth 40 minuta me vonesë sipas informacionit të dhënë nga zyra e shtypit e drejtorisë ekzekutive të Autoritetit Portual Durrës.
Reshjet e shiut që do të intensifikohen gjatë ditës, do të shoqërohen me erëra të vrullshme me intensitet deri në 25m/sek kryesisht në zonat bregdetare dhe ku do të shoqërohet me valëzim të forcës 7 dhe 8 në det të hapur me lartësi vale deri në 7 m.
Në të gjithë rajonin e Kukësit janë rikthyer reshjet e dendura të dëborës, ku në zonat rurale trashësia e saj ka arritur 30 cm dhe në zonat fushore 10 cm. Si pasojë e reshjeve të borës, në Rrugën e Kombit ndalohet kalimi i mjeteve me tonazh të rëndë nëse nuk janë pajisur më zinxhirë.
Për momentin rrugët në zonat e thella nuk janë bllokuar dhe furnizimi me energji elektrike nuk ka pësuar ndërprerje.