PARTIÇKAT OSE MIZAT E MJ*TIT!

Publikuar tek: pa-stres, më 09:32 01-05-2019 PARTIÇKAT OSE MIZAT E MJ*TIT!

Nga EDI OGA ekskluzivisht për newsbomb.al *Ndalohet kopjimi apo riprodhimi i këtij materiali

"Mirë kali që na ngordhi, po nuk na lënë rehat as mizat!", tha dikush njëherë dhe që atëherë e thotë shpesh populli.

Pasi duruam për gjysëm shekulli monizmin, u shkundëm fort si ai kali që shkundet dhe rrëzon kalorësin kur nuk e do. Luftuam dhe e rrëzuam monizmin. Sollëm plurazmin politik, me shpresën që ky ndryshim rrënjësor i sistemit, do sillte demokraci. Pse të mos të bëheshim edhe ne si Amerika? Ok, si Amerika mbase jo, po si Italia... ose Greqia... ose të paktën si Maqedonia (na dukej shtet i zhvilluar, atëherë, nga televizori!)

Idealistë, arrivistë, karrieristë, xhepistë, historianë, kapedanë, doktorë, profesorë, kamnjëgjënëdorë, ish-komunistë, ish-ballistë, ish-legalistë... me mijëra nxituan të krijojnë partitë e tyre, sepse në krahasim me të tjerët, ata kishin një shqisë të fshehtë, një shqisë që ndiente erën e mjaltit përpara sesa ta bënin bletët.

Në një vend me më pak se tre milionë, u krijuan mbi 125 parti!

Secila me një program, me një statut dhe me anëtarësi!

Në Shqipërinë tonë të vogël u ofruan 125 alternativa qeverisëse! Oh my God!

Historia pastaj dihet! Siç ndodh në çdo biznes, tregu është i dy të mëdhenjve dhe i treti është shumë larg të dytit. Të paditur dhe të paeksperiencë, në ato vitet e para, përveç kuajve, edhe partiçkat-miza u dendën me mjaltë. U ngjitën pas "bythës" së tyre dhe "e ngjyenin" edhe ato. Shteti u ndante nga një hise për fushatat, nga koalicioni merrnin ndonjë ministër a ndonjë drejtori, në zgjedhje lokale trafikonin votat për tek fituesi... ohohoho! Kishte lezet!

Por pas disa vitesh kuajt u bënë bisha dhe bisha nuk duron dot miza poshtë bishtit! Më t'u mbledhur tre të mëdhenjtë e xhunglës, luani tigri dhe hiena dhe i fusin një të ndryshuar ligjit elektoral! Për partiçkat-miza u bë e pamundur mbërritja tek mjalti.

Ndërkohë që luani, tigri dhe hienat shqyenin sa të mundnin "delet" e savanës, partiçkat-mizat nuk afroheshin dot tek gostia. E vetmja mënyrë për të mbijetuar, ishin të pëgërat e bishave. Kur ato largoheshin, mizat mësynin mbi vaktin që lëshonte avull dhe, bereqavers, mban pak erë po shije ka!

Herë pas here disa nga partiçkat-miza bëhen bashkë dhe kërkojnë t'u imponohen bishave që të ndryshojnë rregullat e lojës, por kjo nuk zgjat shumë, sepse vijnë zgjedhjet lokale dhe fillon ndihet era e mjaltit. Mjaltë këshilltari, mjaltë tenderash bashkie, mjaltë vendesh pune e këshut me rradhë!

E dinë mizat që në këtë moment bishat kanë nevojë për to, prandaj kanë filluar të gumëzhijnë. Madje këto ditë, bishat kanë aq shumë nevojë sa ngrenë edhe bishtin dhe i lejojnë mizat që të ngjiten aty ku kanë më shumë dëshirë.

Ndërkohë delet e savanës hanë barin e fundit me shpresën se zoti do t'u dërgojë shira të dendur dhe bari do rritet përsëri. Duhet të hanë e të majmen, se bishat kanë uri. Edhe mizat.

Sondazh

Më shumë në këtë kategori: « HAJDUTI ME EMRIN 'ÇI-ASHTU-TËMËN'!
»
Article Logic
Execution time: 0.0068128108978271
array(1) { ["section"]=> string(35) "partickat-ose-mizat-e-mj-tit-162508" }