Pas zhurmës së madhe, të largimit nga detyra si kreu i diplomacisë, ish ministri Ditmir Bushati është shfaqur sot krah kryeministrit Edi Rama.
Rama dhe Bushati ndodhen në Pukë, ku po zhvillojnë takim fushate me banorët e qytetit verior. Gjatë fjalës së tij, Bushati nuk hezitoi të thumbojë opozitën dhe hedhjen e bojës nga Edi Paloka.
"Meqë kemi hyrë në këtë diskutimin e bojës dhe ngjyrave, puna e mirë edhe veriu i Shqipërisë mund të pikturohet me ngjyra dhe jo vetëm bardh e zi. Kemi parasysh resurset që ka zona, të kemi më shumë vizitorë, më shumë vende pune. E vetmja forcë politike që ka një platformë të qartë është PS, duke votuar PS, duke identifikuar të gjitha të metat e çdo shërbyesi publik ne kemi mundësi për të mbajt shënime dhe të nxjerrim konkluzione. Kundërshtarët duhet t'i lemë të bëjnë detyrën e tyre, pasi në disa raste puna e tyre krijon probleme. Kundërshtari kryesor nuk janë ata, por varfëria, papunëisa", tha Bushati.
Ndërkaq, kujtojmë se që pas largimit nga detyra, ikja e të cilit u shoqërua me shumë tensione, Bushati shfaqet për herë të parë me kryeministrin.
Ndonëse shkarkimi i tij u argumentua nga kryeministri se ishte si pasojë e reformimit në qeveri, në media u përfol se Bushati ishte kundër shkëmbimit të territoreve të Kosovës, ide kjo e Hashim Thaçit, që ka marrë edhe mbështetjen e Ramës.
Përpos kësaj, që nga momenti kur Bushati nuk pranoi të hipë në makinë e Ramës ditën që dorëzoi detyrën në ministrinë e Jashtme, ata sot janë bashkë në Pukë dhe duket se raportet e tyre janë të mira.