Katër ditë pas bllokimit të rrugës së Kombit për shkak të shembjes së dherave, duket se ditën e sotme gjithçka është zgjidhur. Në 26 mars, mediat raportuan se rruga e Kombit ishte e pakalueshme në kilometrin e shtatë të segmentit Kukës-Kalimash. Moti i keq kishte bërë të mundur rrëzimin e rreth 8 mijë metër kub dhera dhe gurë që rrëshkitën nga skarpata e malit.
Rrëshkitja ishte e menjëhershme por mund të ishte kthyer edhe në një tragjedi, pasi makinat aty po kalonin lirshëm. Ekspertët thanë se ditën e sotme përfundoi pastrimi i rrugës dhe është punuar për katër ditë me intesitet të lartë, natë e ditë, për ta bërë rrugën e kalueshme.
Sipas tyre, vetëm nëse rruga do të jepet me koncension, problemet për të do të marrin fund, për shkak të mirëmbajtjes. Ditën e sotme, në rrugë do të qarkullohet në të dy korsitë.