Kreu i Bindjes Demokratike Astrit Patozi deklaroi se është i gatshëm me bashkëpunim me këdo palë që sheh si zgjidhje të krizës politike mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme dhe miratimin e Reformës Zgjedhore.
Në një prononcim për ‘’TV Klanin’’, Patozi e quajti të gabuar ngritjen e një strukture me një përfaqësues të opozitës, një të mazhorancës, dhe një të përfaqësisë ndërkombëtare për të biseduar për Reformën Zgjedhore.
‘’S’është formulë e arsyeshme dhe Partia Demokratike ka pasur për qëllim të kalojë lumin sesa të propozojë diçka që ka përmbajtje, sepse ti s’mundesh që pasi shkakton problemin, e ngre flamurin e sovranisitit vjen dhe thua hajde ta zgjidhim bashkë dhe ata s’kanë arsye pse të bëhen palë, duhet ta zgjidhim ne”, u shpreh ish-zyrtari i PD-së për hartimin e Reformës Elektorale.
Pavarësisht, pretendimeve se dy partitë më të mëdha nuk duan ta ndryshojnë sistemin, Patozi u shpreh i hapur për bashkëpunim me PD-në, nëse pajtohen për pikat e mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme, etj.
“Nëse ka një pazar qoftë edhe në distancë apo i panegociuar mes PD e PS, është për ruajtjen e sistemit. Kanë dhënë shenja që s’duan ta ndryshojnë se 1everia është komforte dhe Basha mendon se mund të ushtrojë të njëjtat privilegje. Zgjidhja në Shqipëri janë zgjedhjet e parakohshme pas një reforme të thellë zgjedhore që nuk është vetëm ndryshim sistemi. Ne jemi gati t’i bashkohemi çdo aksioni opozitar që kërkon zgjidhjen tek zgjedhjet e parakohshme pas një reforme të thellë kushtetuese ku përfshihet edhe reforma zgjedhore dhe nuk paragjykojmë askënd, në të kundërt nuk bëhemi pjesë se i bie të jemi farsë politike”, theksoi Patozi për zgjidhjen e krizës politike.
Ndërkohë, kreu i BD-së mënjanoi konstatimin e raportit të Komisionit të Venecias se presidenti Meta ka shkelur kushtetutën duke dekretuar zgjedhjet lokale në 13 tetor. Për Patozin, Venecia zhvlerësoi djegien e mandatave të opozitës PD dhe LSI.
“Opinion që shkon përtej shkarkimit të Presidentit. Është dokument që i jep përgjigje shumë pikëpyetjeve por mbi të gjitha e konsideron gabim fatal djegien e mandateve dhe mospjesëmarrjen e opozitës në zgjedhje, dhe ka më tepër peshë për këtë sesa e shkeli apo jo Kushtetutën Presidenti”, përfundoi kryetar i Bindjes Demokratike Astrit Patozi.