PD për rregulloren e Kuvendit: S’kemi hallin e ATLETEVE dhe BLUZAVE të kryeministrit, por…(DEBATET NE MBLEDHJE)

Publikuar tek: aktualitet, më 09:48 11-03-2018 PD për rregulloren e Kuvendit: S’kemi hallin e ATLETEVE dhe BLUZAVE të kryeministrit, por…(DEBATET NE MBLEDHJE)

Partia Demokratike nëpërmjet përfaqësueses së vet në Këshillin e Mandateve dhe Rregullores në mbledhjen e 21 shkurtit ka thënë se nuk do të japë konsensusin për ndryshimin e rregullores së Kuvendit. Depuetetja Dhurata Cupi tha se nuk është problem te bluza dhe atletet e kryeministrit dhe mënyra sesi ai paraqitet në kuvend, por mënyra sesi miratohet prokurori I përgjithshëm. Ndërkohë që LSI nëpërmjet Nasip Naços u shpreh se kuvendi po kthehet në gjykatë, ku kërkon të mbledhë prova për deputetët. Debatet u zbardhën nga procesverbali i botuar në faqen zyrtare të parlamentit.

HAPET MBLEDHJA

Gramoz Ruçi – Fillojmë mbledhjen e sotme të Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin…Kam dy probleme të ndryshme për Këshillin e Rregullores. Problemi parë, është lidhur me diskutimin e bërë për Kodin e Etikës, për të cilin kemi bërë një debat të gjatë. Në mbështetje të atij debati që kemi bërë, ato përfundime që kemi arritur, i janë drejtuar OSBE-së dhe ODIHR-it. U desh një kohë e caktuar, prandaj nuk e kemi përfshirë, sepse edhe OSBE-ja, edhe ODIHR-i dëshironin të dërgonin komentet e tyre. Në dijeninë time, këto komente janë duke u përkthyer, sepse kanë ardhur në anglisht. Kisha dy kërkesa. Kërkesa e parë është që komentet të përkthehen dhe t’u vihen në dispozicion të gjithë anëtarëve të Këshillit dhe të gjitha forcave politike. Kërkesa e dytë është që ju drejtohet juve, si relatore, është që ato komente të kthehen në amendime. Kërkesa e tretë, është që t’ua referoni forcave tuaja politike. Është mirë që Kodi i Sjelljes të miratohet me konsensus, jashtë luftës politike të ditës që kemi. Kështu, pavarësisht se e kemi kaluar këtë çështje, ju lutem, ja ku jeni, të 3 grupimet politike, nëse keni amendime, nëse është e nevojshme të mblidhemi e t’i shikojmë përsëri ato, me qëllim që të shkojmë me një material në seancën e parlamentit. Në të kundërt, do të jemi të detyruar (pasi jemi në kushtet që nuk ka ndonjë emergjencë për të bërë ndonjë gjë), sepse ky është një rekomandim, një detyrë shtëpie për Kuvendin e Shqipërisë, e parealizuar nga progresraporti. Jemi duke e pritur atë. Nuk kemi pse të lëmë njërën nga 56 masat që ka përcaktuar Kuvendi i Shqipërisë lidhur me rekomandimet e BE-së, të mbetet Kodi i Sjelljes. Ka plot fusha të tjera për t’u bërë arena të luftës politike, prandaj, ju lutem shumë, ta vlerësoni dhe t’ia përcillni subjekteve politike që përfaqësoni, se kjo është në interes të të gjithëve! E dyta, është në lidhje me ndryshimet e Rregullores që kemi bërë në një mbledhje të Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetit, që e shtymë. Jua theksoj edhe një herë, se nuk është kjo pikë për t’u diskutuar. Ka plot probleme të tjera Rregullorja jonë. Kur të bini dakord si forca politike, unë jam gati këtu të mblidhemi dhe t’i implementojmë propozimet e ndryshme që keni, por ajo që unë do të kërkoja është që të mos bëhen asnjëherë ndryshime të njëanshme në Rregullore, pasi ajo është Kushtetuta e të gjithëve. Askush të mos mendojë që ta bëjmë Rregulloren në mënyrë të njëanshme! Ne, shqiptarët, vuajmë nga një gjë: kur jemi në opozitë, kërkojmë ta bëjmë Rregulloren për të favorizuar opozitën, kur jemi në pushtet kërkojmë të bëjmë Rregulloren për të favorizuar pushtetin, pa e ditur që sot jemi në opozitë dhe nesër vijmë në pushtet dhe sot jemi në pushtet dhe nesër kthehemi në opozitë. Prandaj kërkohet që Rregullorja të jetë me konsensus. Ajo miratohet duke pasur një kuorum prej 71 deputetësh dhe mund të miratohet edhe me 71 vota.

Do të kërkoja mirëkuptimin tuaj për një gjë: ai draft nuk ka se si të bëhet arenë e qëndrimeve politike apo partiake në parlament. Pse? Për atë draft strukturat e Kuvendit thjesht kanë marrë dhe kanë implementuar ndryshimet kushtetuese që kemi bërë në Kushtetutë dhe në Kodin Penal, të cilat i kemi bërë me konsensusin e të dyja palëve. Nuk ka asnjë kuptim që kur neni aktual 118 të thotë kështu, Kushtetuta të thotë kështu, do të ndryshojë kështu siç thotë Kushtetuta dhe këtu nuk vend për diskutim dhe për ta përdorur politikisht këtë problem. Nëse dikush do ta përdorë politikisht këtë problem, nuk ka të drejtë, sepse në radhë të parë bën autogol, sepse Kushtetuta ka marrë 140 vota, ndërsa Kodi Penal ka marrë 84 vota dhe I kanë votuar si pozita, ashtu edhe opozita. Si rrjedhim, ne jemi të detyruar ta implementojmë. Sigurisht, kur vjen puna për të diskutuar, jua kam thënë edhe radhën e parë, nëse Kodi I Procedurës Penale thotë se kërkesa e Kryetarit të Kuvendit kur ka ndalime, hetime deputetësh e të tjera e të tjera, Rregullorja aktuale thotë: ia drejton Prokurorit të Përgjithshëm, ndërsa Kodi I Procedurës Penale thotë: ia drejton çdo prokurori. Sigurisht, për një Kryetar Parlamenti normal prevalon Kushtetuta dhe Kodi i Procedurës Penale, apo jo? Pse të mos unifikohen Kushtetuta, Kodi i Procedurës Penale dhe Rregullorja? Kaq. Asnjë fjalë më shumë, asnjë fjalë më pak. Prandaj, ju lutem shumë, ta shikoni edhe këtë çështje! Moza, draftin që më keni sjellur mua, siç është neni i Rregullores sot, ç’thotë Kushtetuta për këtë nen dhe si do të riformulohet neni i Rregullores, në zbatim të Kushtetutës dhe të Kodit të Procedurës Penale, jepua të gjithë anëtarëve të Këshillit me qëllim që kur të vijë momenti, të jemi të gjithë të gatshëm për të diskutuar!

Urdhëroni! Nasip Naço – Faleminderit, zoti Kryetar! Ju me të drejtë shtruat dy çështje: e para për Kodin e Etikës dhe e dyta, për ndryshimin e Rregullores. Në lidhje me Kodin e Etikës, kam deklaruar edhe në emër të Grupit Parlamentar të LSI-së (ka firmosur edhe zoti Vasili për ta ndryshuar) dhe kemi qenë dakord. Sigurisht, drafti nuk ka qenë në përputhje me ndryshimin, por ka qenë një përsëritje e Rregullores dhe nuk ka qenë në formën e kërkuar. Edhe në seancën e kaluar, amendamentet që paraqiti zonja Hysi mund të ishin të drejta, por ishin më shumë vazhdimi i diskutimit sesa amendamente. Nëse do të kemi një draft të përpunuar edhe me rekomandimet e OSBE/ ODIHR-it, sigurisht, do të gjykojmë me mendje të ftohtë për ta kaluar Kodin e Etikës me konsensus në seancë. Pra, ne kemi qenë dakord. Vetëm mos ketë ndonjë përsëritje dhe të mos ketë një detyrë shtëpie të cilën na e kanë lënë për të bërë, por mund ta bësh mirë, shumë mirë, mjaftueshëm. Ka edhe gabime ortografike. Unë nuk jam dakord me gabimet ortografike të fundit. Për sa i përket ndryshimit të Rregullores, ju thoni që janë marrë parasysh ndryshimet në Kushtetutë dhe në Kodin e Procedurës Penale. Në dijeninë time, për aq sa e kam parë, ndryshimet e Rregullores, që na janë dhënë në seancën e kaluar, nuk kanë qenë vetëm kaq, por nga leximi i atij projekti duket qartë se ky komision do të kthehej në një gjykatë me ato ndryshime. Pra, aty parashikohet që mund t’i bësh pyetje prokurorit, mund t’i bësh pyetje këtij... Domethënë, kërkohen prova në këtë komision, gjë që është e papranueshme që ky komision të kthehet në një gjykatë, pra as sot, as nesër. Personalisht, një herë, nuk kam për ta votuar nëse do të ketë ndryshime nga Kushtetuta dhe Kodi i Procedurës, madje këtë mendim timin ia kam kaluar edhe Grupit Parlamentar të LSIsë. Nëse ndryshimet do të jenë në Kodin e Procedurës, që janë normale dhe kanë ardhur këto ndryshime, apo edhe në Kushtetutë, sigurisht do t’i votojmë. Nëse do të futen bashkë me këto nene edhe nene të tjera, për ta kthyer në arenë këtë komision dhe parlamentin, ne jemi gati për ta kthyer edhe në arenë. Por, në dijeninë time, janë shtuar gjëra që këtë komision e kthejnë në gjykatë: t’i bëjmë pyetje prokurorit, t’i bëjmë pyetje deputetit, çka i bie që ne të shqyrtojmë provat. Sigurisht, ligji, Kushtetuta dhe Kodi i Procedurës thonë se shoqërohet me një relacion, me provat e paraqitura, por nuk jemi ne organi që gjykon provat. Pra, nëse u hap një herë ky debat, u hap një praktikë me zotin Tahiri dhe të vazhdojmë në këtë rrugë është më e gabuara. Mjafton të lexosh vendimin e Komisionit të Venecias për ta kuptuar çdokush qartë se Këshilli për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin nuk e jep votën vetëm kur ka të bëjë me interference politike. Në rastet e korrupsionit e të tjerë, sigurisht që çdo kërkesë e ardhur do të gjejë mbështetjen e Grupit Parlamentar të LSI-së.

Faleminderit! Dhurata Çupi Tyli – Faleminderit, zoti Kryetar! Në fakt, lidhur me dy shqetësimet dhe dy pikat që ju ngrini, edhe për miratimin e Rregullores dhe Kodit të Etikës, Partia Demokratike e ka dhënë opinionin e saj nga anëtarët e Këshillit të Mandateve, qoftë nga zoti Alibeaj dhe nga zoti Halimi: ne nuk mund të përdoremi dhe vota jonë nuk mund të përdoret për të marrë dhe për të shfrytëzuar propagandën e radhës se u miratua Kodi i Etikës, në mënyrë krejt urgjente, pra ashtu siç keni edhe ju dëshirë, me procedura të përshpejtuara dhe të veçanta. Jam e mendimit se kjo nuk duhet të miratohet me këtë lloj procedure, as të veçantë apo të përshpejtuar, por duhet diskutuar, sepse nuk bëhet fjalë... Nëse doni ta votoni, votojeni me 71 vota, i keni votat; presionin e votave e përdorni në çdo takim, në çdo mbledhje, ku thoni: “Duam, e miratojmë” dhe e miratoni vetë. Doni ta miratoni, miratojeni, sepse ne nuk kemi shqetësimin e atleteve të Kryeministrit apo bluzën e Kryeministrit në seancat plenare, me stampat e partisë në pushtet. Ky është shqetësimi më i vogël. Shqetësimi është respektimi i opozitës dhe i çdo deputeti të saj në atë seancë, ku i mbyllet fjala, ku nuk lejohet të diskutohet, kur nuk i merret mendim për çështjet më themelore, kur Prokurori i Përgjithshëm votohet me 69 vota. Këto janë çështjet që duhet të diskutohen. Pra, nuk mund të diskutojmë sot për Kodin e Etikës, kur asnjë shqiptar nuk e shqetëson sot nëse është miratuar ose jo Kodi i Etikës nga 140 deputetët. Ne e dimë fjalorin e tmerrshëm që përdoret atje, ne i dimë fyerjet që bëhen ndaj zonjave deputete apo zotërinjve deputetë, ne e dimë që nuk respektohen deputetët e opozitës. Kështu që, shqetësimi sot nuk është Kodi i Etikës apo, për ta thjeshtuar, nuk është shqetësim sot nëse Kryeministri vesh atlete apo këpucë. Kështu që, ne e kemi dhënë mendimin dhe vazhdojmë t’i qëndrojmë atij. Hajdeni të ulemi të bëjmë një kod etike, ku të parashikohet dhe të jetë një kod ku të respektohet opozita, të respektohet maxhoranca, si dhe e gjithë seanca plenare e ditës së enjte apo e çdo dite kur bëhet. Kur fillon seanca plenare, duhet të jetë e shenjtë që nga drejtuesi i seancës dhe deri te deputeti më i thjeshtë. Të njëjtin qëndrim ka dhënë Partia Demokratike edhe për Rregulloren. Tani, në qoftë se ju doni të ndryshoni Rregulloren dhe e vetmja pikë e saj është që të vijë prokurori aty dhe t’i bëhet gjyq, besoj se kjo bëhet qesharake. Çdo shqiptar e kupton se miratimi ose jo i Rregullores apo i Kodit të Etikës nuk është qëllimi juaj, por ju doni të bëni propagandën e radhës. Ndaj, mendoj se Partia Demokratike nuk mund të bëhet pjesë e kësaj propaganda tuajën. Doni ta votoni, votojeni, jeni të lirë, keni 71 vota dhe mund t’i votoni vetë.

Gramoz Ruçi – Shikoni, unë nuk e hodha për diskutim çështjen, megjithatë ju e nisët diskutimin, por më lejoni të bëj dy-tri komente për ato që unë kërkova, madje më duket se isha I qartë në atë që thashë. Kodi i Etikës ka tre vjet në tryezat... (Deputetja Çupi Tyli flet pa mikrofon.) Të lutem! Ka tre vjet dhe Kodi i Etikës është një ndër 56 masat që unë dhe ti, edhe pa qenë unë në vendin e Kryetarit të Kuvendit dhe pa qenë ti deputete, e kemi detyrë shtëpie ta bëjmë në raport me Bashkimin Europian dhe jo në raport me partitë politike. Kjo është e qartë dhe unë më duket se isha i qartë në detyrën që lashë. U është dhënë partnerëve dhe ata kanë bërë komente. Unë nuk i kam lexuar ende sot se çfarë komentesh kanë bërë dhe në kuadrin e transparencës kërkova që t’ju vihen në dispozicion juve, si dhe në kuadrin e reflektimit të komenteve kërkova që të gjitha komentet të kthehen në amendime. Unë nuk ju detyroj juve, por e kam detyrë funksionale që këtë rekomandim të bërë nga Bashkimi Europian, këtë detyrë shtëpie, që parlamenti e ka vendosur pa dakordësinë tënde dhe timen, pavarësisht se kush është Kryetar sot dhe kush ishte dje, pavarësisht se kush është deputet sot dhe kush ishte dje, parlamenti është këtu, drejtimi i parlamentit është këtu dhe këtu nuk ka nevojë të bëjmë retorika politike, e para. E dyta, nuk ka asnjë procedurë të veçantë as për Kodin e Etikës, as për Rregulloren. Me të drejtë, ju radhën e parë ngritët një çështje që nuk ishte në kalendar dhe unë menjëherë nuk hezitova, por e nxora derisa të futej në kalendar, të lihej koha e domosdoshme...

Dhurata Çupi Tyli – ...ligjin, se nuk keni bërë ndonjë nder. Gramoz Ruçi – Të lutem! Avash, mos u nxito! Nuk bëra atë që thoni ju, me procedurë të përshpejtuar me njërën, tjetrën, përkundrazi, kisha një shqetësim, që e kam thënë që në fjalën time hapëse të Kuvendit. Cili është shqetësimi? Që ne si Kuvend, ne si ligjvënës, duhet të japim shembullin tonë. Cili është shembulli ynë? Në qoftë se Gjykata Kushtetuese shprehet për një çështje, Kuvendi menjëherë, madje duhet të jetë I pari që duhet të reflektojë vendimet e Gjykatës Kushtetuese. Në fjalën time, kur hapa sesionin parlamentar, thashë: “Janë pesë vendime të Gjykatës Kushtetuese të pareflektuara” dhe kjo është shumë normale. Për sa i përket drejtimit të seancës, ju lutem shumë, kushdo mund ta pretendojë, por në qoftë se jemi gjykatë për zbatimin e Rregullores, avokat për zbatimin e Rregullores, prokuror për zbatimin e Rregullores duhet të jeni ju që jeni këtu. Në asnjë nen dhe në asnjë rast nuk shkelet Rregullorja, përkundrazi, është shkelur në të gjitha rastet kur mblidhemi për të diskutuar, bie fjala, për energjinë dhe flasim për arsimin. Kjo është shkelje e Rregullores. Madje në asnjë parlament demokratik, kudo dhe në mes të Amerikës, në Kongres, kemi qenë me deputetë të opozitës në Senatin amerikan, në Kongresin amerikan dhe kemi asistuar rastin kur i kaloi sekonda senatores 75-vjeçare, prraf, iu ndërpre fjala. Shko në Parlamentin Europian... Bie zilja, ndërpritet fjala. Mos e quani diktat, është rregull universal dhe asgjëkundi nuk të lënë, në asnjë parlament demokratik, që teksa flitet për arrën, ti flet për bananen. Kjo ndodh vetëm në Shqipëri. Dhurata Çupi Tyli – Kjo ndodh këtë vit? Kjo ka ndodhur në 27 vjet! Gramoz Ruçi – Edhe duhet lejuar? Unë nuk jam këtu...

Dhurata Çupi Tyli – Absolutisht, nuk duhet lejuar. E para, sot jemi jashtë rendit të ditës për këtë që po flasim... Gramoz Ruçi – Ju lutem, zonjë! Unë nuk jam këtu të bëj atë që është bërë jashtë Kushtetutës, jashtë ligjit dhe jashtë rregullave demokratike që ka një parlament. E qartë? Pastaj, atje në sallën e parlamentit zhvillojeni luftën politike si të doni. Unë mbaj mend që kam vlerësuar katër emra deputetësh për diskutimet e tyre gjatë pesë muajve: të parin, deputetin Spahia, më të riun, i cili foli dhe e zhvilloi opozicionin e tij brenda përmbajtjes së ligjit, dhe e bëri shumë mirë; të dytin, Flori Mimën; të tretin Nasip Naçon, që e kemi këtu, dhe të katërtin, deputetin përsëri nga LSI-ja, profesorin Shezai Rrokaj. E qartë? Nuk kam thënë për asnjë deputet të maxhorancës. Kur them për këtë, për përmbajtjen e diskutimeve, nuk e kam thjesht për opozitën, por e kam parasysh për të gjithë deputetët.

1.PNG

 

2.PNG

3.PNG

4.PNG

5.PNG

6.PNG7.PNG

8.PNG

Sondazh

Më shumë në këtë kategori: « GRAMOZ RUÇI tregon për herë të parë deputetët e preferuar: Janë të gjithë nga opozita (EMRAT)
Firmoset Marreveshja, Universiteti Mesdhetar do shkëmbejë studentë me Universitetin e Durrësit »
Article Logic
Execution time: 0.013955116271973
array(1) { ["section"]=> string(114) "pd-per-rregulloren-e-kuvendit-s-kemi-hallin-e-atleteve-dhe-bluzave-te-kryeministrit-por-debatet-ne-mbledhje-112887" }