Dalja në pension nuk i ka penalizuar pensionistët që të vazhdojnë të jenë pjesë e tregut të punës.
Rrogë dhe pension njëherazi, ka qenë një zgjidhje e lirë për këdo. Por së fundmi janë hartuar disa ndryshime të reja, të cilat do të reflektohen në kontratën e punës.
Mbi bazën e draftit të ri, që ka marrë aprovimin nga Këshilli Administrativ i ISSH-së dhe pritet të kalojë shumë shpejt në qeveri për miratim, pensionistët përjashtohen nga derdhja e kontributeve shoqërore.
Në këtë mënyrë ata mund të punojnë ose mund të ushtrojnë aktivitet ekonomik pa qenë të detyruar që të paguajnë kontributet.
“Në draft është parashikuar të përjashtohen nga pagesa e kontributeve të detyrueshme të sigurimit shoqëror pensionistët e punësuar dhe të vetëpunësuar në sektorin privat, të cilët marrin pension pleqërie, pension të reduktuar pleqërie, pension familjar, por me kushtin që të kenë plotësuar moshën ligjore të pensionit të pleqërisë. Kjo moshë aktualisht për burrat është 65 vjeç, ndërsa për gratë 60 vjeç e gjashtë muaj”.
Nga ky draft përfitojnë tre kategori : pensionistët që marrin pension pleqërie; pensionistët që marrin pension të reduktuar pleqërie pas plotësimit të moshës për pension ; pensionistët që marrin pension familjar pas plotësimit të moshës së pensionit.