Historia e trafikimit të drogës nga Maroku në Spanjë nuk mbyllet me vdekjen e pilotit të dyshuar si i përfshirë në të, Sokol Fekës por vazhdon të ketë pasoja edhe në radhët e ushtarakëve shqiptarë.
Ministria e Mbrojtjes ka liruar së fundmi 6 oficerë të Forcave të Armatosura. Sipas Gazetës Shqiptare dy prej oficerëve i përkasin Policisë Ushtarake dhe 4 të tjerë Forcave Ajërore.Ende nuk bëhen publike emrat e tyre, por tashmë ata do të jenë në lirim nga detyra dhe në dispozicion të Forcave të Armatosura për çdo rast.
Arsyeja e lirimit të ushtarakëve ka të bëjë me dyshimin e Ministrisë së Brendshme se 2 prej oficerëve të Policisë Ushtarake kanë patur përgjegjësi si inspektorë krimesh në repartin e Farkës. Në motivacionin e lirimit të ushtarakëve nuk jepen arsyet e përgjegjësisë së tyre në lidhje me rastin Feka, por jo formalisht u është bërë e ditur se shkak është ngjarja e Malagës në Spanjë, ku humbi jetën majori Sokol Feka. Madje, dy nga policët ushtarakë duhet të raportonin për vonesën e kthimit të majorit Feka nga trajnimi në Londër, por nuk e kanë bërë një gjë të tillë. Ministria e Brendshme mohon zyrtarisht lirimin e oficerëve.
Majori Sokol Feka ndërroi jetë në Malaga të Spanjës, pasi helikopteri që drejtonte humbi kontrollin duke u përplasur me një shtyllë elektrike. Në helikopterin e dëmtuar autoritetet spanjolle gjetën 1 ton hashash. Trupi i tij ende nuk është sjellë në Shqipëri.