Përplasjet në distancë me SHBA, Rusia tërhiqet nga traktati për armët bërthamore

Publikuar tek: bota, më 23:09 02-02-2019 Përplasjet në distancë me SHBA, Rusia tërhiqet nga traktati për armët bërthamore

Shtetet e Bashkuara dhe Rusia po reagojnë me lëvizje të njëpasnjëshme për sa i përket traktatit të armëve bërthamore.

Politikanët dhe analistët e shikojnë këtë si një rigjallërim të garës për armatim. Presidenti rus Vladimir Putin deklaroi dje se Rusia po pezullon pjesëmarrjen e saj në traktatin INF, të nëshkruar gjatë Luftës së Ftohtë, për armatimin bërthamor me rreze të mesme.

Lëvizja ruse pason hapin e ngjashëm të ndërmarrë nga Shtetet e Bashkuara të premten.

“Do të veprojmë në këtë mënyrë. Përgjigja jonë do të jetë simetrike. Partnerët amerikanë deklaruan se do të ndalin pjesëmarrjen e tyre në traktatin INF, kështu që edhe ne do të ndalemi. Ata deklaruan se zhvillojnë armë të reja dhe ne do të bëjmë të njëjtën gjë”, tha Presidenti rus Putin.

Putin tha se Rusia nuk do t’i pozicionojë këto armë, nëse SHBA-ja nuk ndërmerr një veprim të ngjashëm.

“Rusia nuk do të pozicionojë armë të reja me rreze të shkurtër dhe të mesme, as në Evropë dhe as në rajone të tjera të botës, përderisa Amerika nuk do të pozicionojë armë të ngjashme në këto zona”, tha Putin.

Presidenti rus tha se ka udhëzuar ministrat e jashtëm dhe të mbrojtjes të mos iniciojnë bisedime me Uashingtonin për këtë çështje.

Gjatë një deklarate të bërë dje, Presidenti amerikan Donald Trump njoftoi se Shtetet e Bashkuara po pezullojnë zbatimin e traktatin që kanë qenë në fuqi prej dekadash, duke akuzuar Kremlinin se e ka shkelur atë qëllimisht.

“Për një periudhë tepër të gjatë, Rusia ka shkelur pa u ndëshkuar Traktatin për Armët Bërthamore me Rreze të Mesme, duke zhvilluar fshehurazi dhe duke pozicionuar një sistem të ndaluar raketash që kërcënon drejtpërsëdrejti aleatët dhe forcat tona ushtarake jashtë vendit”, tha Presidenti Trump. “Ne nuk do t’i përmbahemi kushteve të traktatit, ndërkohë që Rusia gënjen për veprimet e saj”.

Por, duke folur më vonë me gazetarët, Presidenti Trump la të hapur mundësinë e një lloj marrëveshjeje.

“Shpresoj të mblidhemi të gjithë në një sallë të madhe dhe të bukur dhe të arrijmë një marrëveshje të re që do të ishte shumë më e mirë. Do të pëlqente shumë të shikoja diçka të tillë, por duhet të bien të gjithë dakort”, tha ai.

Ministria e Jashtme e Kinës deklaroi sot se Pekini është kundër tërheqjes së Uashingtonit nga traktati dhe i bëri thirrje Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë të menaxhojnë qëndrimet e tyre të ndryshme përmes një dialogu konstruktiv.

Traktati INF, i nënshkruar nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Sovjetik në vitin 1987, ishte marrëveshja e parë në botë që ndaloi një klasë të tërë armësh, më saktësisht raketat e lëshuara nga platforma tokësore që mund të arrijnë një rreze veprimi nga 500 deri në 5500 kilometrash. /VOA

 

Sondazh

Article Logic
Execution time: 0.011351823806763
array(1) { ["section"]=> string(86) "perplasjet-ne-distance-me-shba-rusia-terhiqet-nga-traktati-per-armet-berthamore-151350" }