Peshqit e mëdhenj në det, tigani i Reformës në Drejtësi prej tre vitesh në zjarr

Publikuar tek: aktualitet, më 21:23 21-07-2019 Peshqit e mëdhenj në det, tigani i Reformës në Drejtësi prej tre vitesh në zjarr Kuvendi në seancë plenare

Tre vite më parë si sot, në ulëset e parlamentit shqiptar nuk mungonte asnjë deputet, ndërsa ndërkombëtarët e personalitete të tjerë prisnin ndiqnin me kureshtje nga lozhat e sallës miratimin e ndryshimeve kushtetuese të Reformës në Drejtësi, e konsideruar si kryereforma e qeverisë Rama.

Kryetari i Kuvendit në atë kohë, Ilir Meta udhëhoqi seancën maratonë si dhe u vetëofrua të merrte rolin e negociatorit për të siguruar miratimin e reformës me konsensus të plotë.

Ndërsa miratimin e reformës e përshëndeti me prezencën e tij edhe kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha, i cili qëndronte i vetëm në lozhën pak metra nga ku ishin ulur pranë njëri-tjetrit ish-ambasadori amerikan Donald Lu dhe ish-ambasadorja e BE-së Romana Vlahutin.

“Urime shqiptarëve, kjo është fitorja juaj”, do të deklaronte Basha natën e 22 korrikut.

“Tymi i bardhë i reformës do të nxjerrë tym të zi nga pallati i padrejtësisë”, me këtë shprehje zgjodhi kryeministri Edi Rama t’i drejtohej shqiptarëve.

Në atë kohë flitej se më tepër sesa dëshira e madhe e deputetëve për të shtypur butonat “pro” reformës, ishte një “sms” nga Ambasada Amerikane në telefonat e tyre që i ftonte të informoheshin për “pasojat” nëse votonin kundër.

Por sot tre vite më pas, qëndrimet kanë ndryshuar thellësisht, si ndaj reformës në drejtësi dhe mes krerëve të politikës shqiptare.

Përtej akuzave për kapjen e drejtësisë, sot institucionet e reja më të rëndësishme të drejtësisë, si SPAK dhe BKH nuk janë ngritur ende, ndërsa procesi i Vettingut nxorri jashtë sistemit dhjetra prokurorë e gjyqtarë, duke krijuar ngërçin e paparashikuar të bllokimit të dy gjykatave më të rëndësishme të vendit, Gjykatën Kushtetuese dhe Gjykata e Lartë.

Këshilli i Lartë i Prokurorisë, megjithëse ende pa godinë, Këshilli i Lartë Gjyqësor dhe Inspektoriati i Lartë i Drejtësisë që vendos për masat disiplinore për gjyqtarët e prokurorët që kanë kryer shkelje, janë institucionet e vetme të ngritura deri më tani.

Janë plot 172 gjyqtarë dhe prokurorë që deri më tani janë përballur me testin e rëndësishëm të Vettingut. Nga këta, 35 gjyqtarë dhe prokurorë kanë vendosur të largohen duke dhënë dorëheqjen. 73 gjyqtarë e prokurorë arritën të kalojnë ndërsa 63 ngelën për shkak të problemeve me të paktën një nga tre shtyllat e vettingut, analiza e pasurisë së bashku me kontrollin e figurës dhe vlerësimin e aftësive profesionale.

Mbi 35 mijë dosje janë mbuluar nga pluhuri në Gjykatën e Lartë aktualisht me vetëm dy anëtarë, ndërsa mungesa e Gjykatës Kushtetuese që ka mbetur vetëm me një anëtar ka thelluar edhe krizën politike në vend. Nga akuzat për bllokim të qëllimshëm deri te përplasja për 30 Qershorin duket se reforma në drejtësi është në pikën e saj më kritike.

“Suksese kësaj reforme historike dhe le të vazhdojë ky konsensus edhe për reforma të tjera”, tha kryetari i Kuvendit Ilir Meta tre vite më parë, ndërsa sot ka zgjedhur ta quajë me një term të vetëm: “Ramaformë”.

Sondazh

Article Logic
Execution time: 0.0073959827423096
array(1) { ["section"]=> string(86) "peshqit-e-medhenj-ne-det-tigani-i-reformes-ne-drejtesi-prej-tre-vitesh-ne-zjarr-172902" }