Gjykata Administrative e Durrësit vendosi sot për pezullimin e pjesshëm të punimeve për ndërtimin e sheshit “Veliera” pas daljes në dritë të rrënojave antike pranë Torres veneciane, një vendim që u cilësua si gjysmë-fitore, por që për avokaten e Shoqërisë Civile, Mirela Jorgo, nuk është kështu.
E kontaktuar nga Newsbomb.al, avokatja e Shoqërisë Civile Mirela Jorgo u shpreh se vendimi i gjykatës mund të quhet një fitore e plotë, pasi Bashkia e Durrësit nuk ka sesi të vijojë punimet në pjesën poshtë rrugës ndërkohë që në pjesën e përfshirë në “Zonën A” të qytetit nuk do të punohet.
“Agjencia e Shërbimit Arkeologjik ka dhënë leje për ndërtimin në Zonën A të qytetit, pranë Torres Veneciane ku janë hedhur dy pilota betoni të cilat kanë dëmtuar murin antik. Në bazë të ligjit 161 që e cilëson të gjithë qytetin e Durrësit me nëntokë të çmuar, ndalohet kategoriksiht çdo lloj ndërtimi i ri”, u shpreh avokatja Mirela Jorgo e cila shpjegoi për Newsbomb.al se kemi të bëjmë me shkelje penale.
Avokatja Jorgo tha se Soqëria Civile nuk do të ndalet me kaq pas vendimit të gjykatës, hapi i radhës është t’i drejtohen kontrollit të Lartë të Shtetit lidhur me shpenzimet e kota të parave për punimet që po vijojnë në zonën poshtë rrugës.
“Pritet edhe një vendim nga Këshillit Kombëtar të Arkeologjisë që i jep rreth 10-15 ditë kohë Bashkisë së Durrësit të llogarisë se sa shkojnë kostot shtesë të projektit tanimë që do të duhet të ndryshojë”, tha avokatja Jorgo për Newsbomb.al.
Vepra penale e Bashkisë së Durrësit nuk qëndron vetëm te ndërtimi i dy pilotave të betonit të ngulura thellë në tokë duke shkatërruar murret antike, por avokatja Mirela Jorgo sqaroi se për t’i hapur rrugë punimeve është falsifikuar harta e vitit 2011 duke zhvendosur kufirin e “Zonës A”, zonë ku ndalohet kategorikisht çdo ndërtim, veprim që dënohet me gjobë deri në 6 vite burg. /Newsbomb.al