Ish-këshilltari i lartë i DASH-it dhe njohësi i mirë i Ballkanit, David Philips, në një intervistë për RTV Dukagjinin ka thënë se procesi i dialogut mes Kosovës dhe Serbisë po zvarritet.
Sipas tij ka ardhur koha që shtetet e perëndimit t’i japin ultimatum Serbisë për finalizimin e marrëveshjes më Kosovën. David Philips thotë se dialogut i mungon qartësia.
“Duhet të kemi një agjendë të qartë për dialogun. Qartësia ka munguar në negociatat mes Kosovës dhe Serbisë. A po negociojnë palët për njohje të ndërsjellë? A po flasin për aranzhime tjera si pjesë e një strategjie për zbutje të konfliktit? Pikëpamja ime personale është se dialogu duhet të përqendrohet te njohja e Kosovës nga Serbia si vend sovran brenda kufijve aktual. Kjo është mënyra e vetme për një marrëveshje të qëndrueshme dhe paqësore”, deklaroi Philips.
Philips mendon se Perëndimi duhet t’i jep ultimatum Serbisë, ose të pranojë marrëveshjen ose ta lërë fare, teksa i mshon faktit se marrëveshja e 4 shtatorit në Uashington nuk solli asgjë.