Një 40-vjeçar është arrestuar në kohë pasi ka plagosur me thikë 3 persona. Ngjarja ka ndodhur në fshatin Shën e Premte në Divjakë.
Burime nga polica bëjnë me dije se mbrëmjen e djeshme rreth orës 21:20, në një lokal në fshatin Shën e Premte, Kujtim Imeri, 40 vjeç, për motive të dobëta, është konfliktuar me B.G, 67 vjeç, A.G, 21 vjeç, dhe D.Gj, 26 vjeç, banues në fshatin Shën e Premte Divjakë, ku gjatë konfiktit i ka qëlluar me thikë.
Të plagosurit ndodhen në Spitalin Rajonal Lushnje nën kujdesin e mjekëve. Autori pas plagosjes u largua nga vendngjarja, por u kap menjëherë nga shërbimet e Policisë Divjakë.
Kujtim Imeri është person me precedent penal në fushën e krimeve kundër personit dhe ka qënë i dënuar më parë për plagosje me thikë. Në cilësinë e provës materiale u sekuestrua thika me të cilën autori goditi 3 shtetasit. Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Lushnje për veprat penale "Plagosje e lehtë me dashje" dhe "Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta".