Plane për të blerë toka në bregdet? Artan Lame paralajmëron hapur: Kujdes me ZULLUMET

Publikuar tek: aktualitet, më 11:52 03-03-2018 Plane për të blerë toka në bregdet? Artan Lame paralajmëron hapur: Kujdes me ZULLUMET

Jeni në tentativa për të blerë një tokë në zonat bredgetare?

Ndiqni më parë udhëzimet e Artan Lames, kreut të ALUIZNI-t, i cili përmes një konference për mediat u bëri thirrje të gjithë qytetarëve që të tregohen të kujdesshëm dhe të ndjekin më parë udhëzimet e tij. Sipas Lames, janë evidentuar një sërë rastesh kur është abuzuar me dokumentet dhe falsifikimin e pronave në vijën bregdetare, ndërsa iu referua çështjes së pronave në Spille.

Lame garantoi po ashtu qeveria ka ndërmarrë një skemë veprimi për kthimin e pronave te pronarët dhe privatizimin e tyre na bazë të procedurave.

“Pronat do kenë destinacion të qartë, do të kompesohen ish pronarët dhe për investime në turizmë. Ky fenom zhvatje është vënë re në gjithë bregdetin, si të Velipojës, Lezhës, Kune Vainit, Gjirin e Lalzit, Spillesë, Semanit, Nartës, Orikumi dhe gjithë bregdeti i rivierës në Jug. Janë ndarë si toka bujqësore, kënetat, moçalet, duke kthyer të pafrytshme në toka bujqësore, poligone e reparte ushtarake. Ju bëj thirrje qytetarëve që duan të blejnë një pronë që përmes disa institucioneve shtetërore të verifikojnë dokumentet në hipoteka dhe të mësojnë për origjinën e këtyre pronave”, u shpreh Lame.

DEKLARATA E PLOTË: 

Reforma e pronësisë vijon të mbetet një prej reformave më tëvështira, por njëkohësisht më të domosdoshme, të Qeverisë Shqiptare. Pjesë e kësaj reforme janë edhe proceset e pronësisë të zvarritura tashmë prej më tepër se një çerek shekulli, që me fillimet e sistemit të ri.

Një prej proceseve më të stërzgjatura dhe njëkohësisht edhe më të abuzuara,mbetet procesi i ndarjes dhe regjistrimit të tokës në fshat, ose siç quhen ndryshe, pajisja me AMTP (Akti i Marrjes së Tokës në Ponësi).Para pak kohe u kalua në Kuvend përfundimi i këtij procesi brenda 31 dhjetorit 2018.

Kjo është ana pozitive e këtij procesi. Por kemi edhe një anë të errët të tij. Ky proces, i nisur që në vitin ’91 me ligjin 7501, do të duhej që t’i ndante tokën e ish-kooperativave bujqësore gjithë anëtarëve të tyre, por për fat të keq, në shumë raste është keqpërdorur nga funksionarë shtetërorë, komisione fshatrash, kryetarë komunash, etj., me qëllime përfitimi.

Këta, në abuzim të pastër me pushtetin që kanë patur, kanë ndarë dhe përvetësuar si toka të koperativave bujqësore,toka dhe zona bregdetare që kurrë nuk kanë qënë prona të kooperativave, troje që kurrë nuk kanë qënë toka bujqësore, përfshirë brezin pyjor dhe ranor përgjatë bregdetit.

Bash për këto arsye Qeveria po përgatit një skemë veprimi, si nevojë për të qartësuar një pjesë të mish-mashit me pronat në zonat bregdetare të vendit. Pikërisht atë pjesë që lidhet me ndarjen e këtyre zonave në mënyrë abuzive, përmes procesit të ndarjes së tokës së ish-koperativave bujqësore, apo siç njihet nga publiku përmes AMTP-ve.

Qeveria synon pikërisht t’i thotë fund këtij procesi të turpshëm dhe t’i rikthejë shtetit shqiptar pronat e grabitura në këtë mënyrë.

Prona që, duke u rigrupuar në duart e shtetit,do tëkenë destinacion të qartë:përdorimin e tyre në procesin e kompensimit të ish-pronarëve dhe në procesin e investimeve në turizëm.

Për fat të keq, nga ky fenomen zhvatjeje ka vuajtur gjerësisht e gjithë zona bregdetare e vendit.

Mund të përmendim si zona me problematika të tilla: bregdetin e Velipojës, atë të Lezhës, të Shëngjinit, zonën e Kune-Vainit, Ishull Lezhën, Gjirin e Lalëzit, bregdetin e Spillesë në zonën e Kavajës, bregdetin e Semanit, zonën e Nartës, zonën e Orikumit, dhe bregdetin e Rivierës në përgjithësi në jug.

Janë ndarë duke i konsideruar si toka bujqësore, zona e rërës, së plazheve, është ndarë zona e brezit pyjor të bregdetit, janë ndarë kënetat ligatinat e moçalet e ultësirës, janë ndërruar zërat kadastralë duke kthyer tokat e pafrutshme në toka bujqësore, është vepruar mbi prona që kanë qenë jetë e mot prona shtetërore, poligone apo reparte ushtarake.

Kohët e fundit, puna e organeve ligjzbatuese ka dhënë fryte, përmes disa operacioneve që ka përfshirë zona të veçanta të bregdetit, si ato në zonën e plazheve të Spillesë në Kavajë.

Procesi që do të fillojë Qeveria këto ditë, përmes disa institucioneve shtetërore, ku vlen të përmendet roli që do të ketë sistemi i prefektëve, do të bëjë krehjen e vendimarrjeve abuzive përgjatë gjithë vijës bregdetare, për ta çliruar atë nga ngërçi pronësor.Këtij procesi ligjvënës, do ti nënshtrohen rreth 30.000 parcela përgjatë gjithë bregdetit shqiptar.

Por vëmë re se, ditët e fundit, të kapur nga paniku i zbulimit të abuzimeve të bëra, një pjesë e të paudhëve po mundohen të humbasin gjurmët e krimit duke i shitur, ri-shitur, ndarë e copëzuar këto parcela të përfituara në rrugë të kundërligjshme.

I bëjmë thirrje qytetarëve shqiptarë që në padijeni mund të bien në kurthe të tilla, të tregohen të kujdeshshëm kur ju duhet të blejnë toka në zonën bregdetare, prona apo sipërfaqe toke me prejardhje të dyshimtë, apo që mund të duken si me çmime avantazhuese.

Pas tyre fshihen njerëz apo ish-funksionarë që i kanë përfituar këto prona në mënyrë të paligjshme dhe tani, në panikun e zbulimit, përpiqen ti heqin qafe me çfarëdolloj çmimi.

Qytetarë, përpara blerjes,interesohuni pranë zyrave urbanistike nëpër bashki, nëse në këto zona parashikohen plane zhvillimi apo jo.

Përpara blerjes, interesohuni pranë institucioneve shteterore, prane zyrave të pasurive të paluajtshme (hipotekave) per origjinën e këtyre pronave.

Përpara blerjes kërkoni informacion pranë ATP (Agjensia e Trajtimit të Pronës) nëse janë prona të fituara ligjshëm përmes procesit të kthimit të pronave.

Ju bëj thirrje qytetarëve që ndërkaq kanë përfituar prona të tilla t’ju kërkojnë llogari shitësve për sigurinë juridike të këtyre pronave në origjinë.

Nga ana tjetër, ju bëjme thirrje dhe vetë gjithë luzmës sëakrobatëve të këtyre pronave,që të mos vazhdojnë të marrin në qafë njerëz dhe të mos mundohen të tymnojnë procesin e shkuarjes së hakës tek i zoti.

E kemi thënë që në fillim të mandatit të kaluar qeverisës se zgjidhja dhe stabilizimi i çështjes së pronësise është një nga çështjet kyçe për qetësimin e gjithë shoqërise shqiptare dhe zhvillimin e ekonomisë.

Këtë reformë të nisur që para katër vjetësh,do të vazhdojmë ta proçedojmë pa lëkundje në këtë mandat, që do të jetë edhe më i vështirë, për shkak të përplasjes me interesat e të gjithë bajlozëve që pa dalë nga deti kanë zaptuar mundësinë që ta gëzojmë detin.

Sondazh

Article Logic
Execution time: 0.026308059692383
array(1) { ["section"]=> string(90) "plane-per-te-blere-toka-ne-bregdet-artan-lame-paralajmeron-hapur-kujdes-me-zullumet-112056" }