PLANI ORIGJINAL I GRABITJES NË RINAS!

Publikuar tek: pa-stres, më 09:56 10-04-2019 PLANI ORIGJINAL I GRABITJES NË RINAS!

Nga Edi OGA ekskluzivisht për newsbomb.al- Ndalohet kopjimi apo riprodhimi i këtij materiali

Tre kapobandat, Ibukuri, Ishpifuri dhe Ikeqi, u takuan në mes të natës fiks, tek shtëpia e oligarkut, për të diskutuar detajet e fundit të goditjes së rradhës; paratë në barkun e avionit të linjës.

 -Unë propozoj ta marrim peng avionin! Mua më ka funksionuar! – tha Ikeqi.

-E ku do ta ulim?!

-Ç'rëndësi ka! Mbarojmë punë dhe e lëmë të digjet gjëkundi!

-Unë jam kundër! – tha Ibukuri.

-Ej, ke nja tre muaj që po më bën përr-përr ti. E harrove marrëveshjen?! – Ngriti zërin Ikeqi!

-Ju lutem kolegë! Pa stres! Le të punojmë me qetësi dhe dashuri! – ndërhyri me takt Ishpifuri dhe shpalosi planin e veprimit.

Sipas planit, makinës do t'i jepte Ikeqi. Do të merrnin një furgon të bardhë që shkruante "hetimi tatimor" dhe do të shkonin drejt e në aeroport. Patrulla nuk kishte sepse Ikeqi kishte siguruar që të gjithë policët të shkonin tek Bregu i Lumit dhe të ziheshin me gra që bërtisnin dhe burra që hidhnin gurë. Rruga deri në Rinas ishte "xham". Do të shtynin lehtë derën nga ku futen zjarrfikset, (dikush ishte kujdesur që të ishte e hapur) dhe do t'i afroheshin avionit. Më pas njëri prej tyre duhet të dilte me kallash në dorë dhe të kërcënonte rojet, kurse tjetri duhet të rrëmbente thasët nga hambari i bagazheve.

-Unë, i vetëm, me kallash në dorë, nuk dal. Kam frikë! – tha Ibukuri.

-Edhe një grua është më trime se ty, i tha Ishpifuri. Do dalim bashkë. Nëse shikon që dikush bën rezistencë apo afrohet, qëllo!

-Nuk qëlloj dot! Po sikur t'u këndoj himnin kombëtar në surrat! Mbase tremben?!

-Bukur! Pastaj unë do marr thasët dhe do t'i hedh lart. Do hipim në furgon dhe do dalim andej nga hymë. Diku do ndërrojmë makinat dhe do vijmë përsëri këtu për të ndarë paratë! Si thoni?

-Paratë do t'ua ndaj vetë! Nëntë pjesë unë, një pjesë ju të dy. Ndajeni si të doni! – tha Ikeqi.

Në këtë pikë filloi një sherr i paparë. Të tre filluan të shajnë nga robt dy të tjerët. U zunë e u grinë derisa dikush lexoi në celular se në aeroport, një bandë e armatosur kishte kryer goditjen ekzaktësisht sipas planit të tyre.

-Dikush nga ju ka dekonspiruar planin!

Pas kësaj të tre u zunë e shanë derisa u lodhën. Në fund Ikeqi i vuri kapak sherrit:

-Unë habitem pse ziheni sikur këto ishin paratë e fundit që mund të grabisim. Ne kemi gjithë Shqipërinë në dispozicion.

Ibukuri buzëqeshi i ngazëllyer, kurse Ishpifuri ngrysi vetullat dhe tha:

-Më vjen shumë inat! Mua më dhimbset çdo lek që na e marrin banditët e tjerë!

Për pak minuta nuk foli njeri. Heshtjen e theu Ikeqi:

-Ore prisni njëherë! Si më latë mua në timon?! Unë nuk di t'i jap makinës!

Sondazh

Më shumë në këtë kategori: « O KANDIDAT, O LLUM!
»
Article Logic
Execution time: 0.0066690444946289
array(1) { ["section"]=> string(43) "plani-origjinal-i-grabitjes-ne-rinas-159860" }