Po mbajnë në burg një qytetar të mirë të vendit tim…Luan RAMA shkruan për punonjësin e arrestuar të AMA

Publikuar tek: aktualitet, më 12:32 20-06-2019 Po mbajnë në burg një qytetar të mirë të vendit tim…Luan RAMA shkruan për punonjësin e arrestuar të AMA

Luan Rama, zyrtar i lartë i LSI, shkruan duke risjellë profesionin e gazetarit për Andrea Nathanailin, arrestuar përgjatë operacionit “Krasta” katër ditë më parë.

Një telefonatë e një pronari të një kabllori në Elbasan, ka zbuluar sipas prokurorisë korrupsionin në AMA, ku një ndër personat që u arrestua dhe po vazhdon të mbahet në burg është Andrea Nathanaili, I cili në fakt, detyrën e fundit, e ka ushtruar te AMA, por ka 2 vjet që ka dalë në pension.

Luan Rama, që e ka pasur mësues, shkruan për integritetin e tij, duke kërkuar nga organet të mos e mbajnë në burg.

Shkruan Luan Rama:

Andrea Nathanailin e njoh që prej vitit 1983. Ai mësues e unë nxënës në gjimnazin e Rrëshenit.

E për 36 vjet me rradhë mbetëm miq, konstant në respektin e ndërsjelltë, pavarësisht kohës e dallgëve a rrjedhave të saj.

Unë e kam parë gjithmonë si mësues, e ai mua asnjëherë si nxënës, edhe kur unë isha vërtetë nxënësi i tij.

Në rrjedhë të viteve, respekti e vlerësimi im për të u bënë edhe më të konsoliduar, edhe më të ndjeshëm, pasi Andrea nuk të provokon ndjesi tjetër përveç respektit e mirënjohjes.

Mbeta pa fjalë kur dëgjova se e kanë arrestuar e duke shpresuar se do të ishte lajthitje, prita që gjykata ta korrigjontë lajthitjen e prokurorisë në seancën proceduriale të masës së sigurisë!

Por jo, e mbajtën në arrest për një akuzë që as nuk e kuptova e as nuk e kuptoj!

Nuk është hera e parë dhe as rasti i vetëm që edhe gjykata lajthit.

Paska votuar, thonë, për ti hequr gjobën një subjekti kur ishte në punë ( prej dy vitesh është në pension ), tek AMA ( autoriteti i mbikqyrjes audiovizive ).

Mundet, këtë nuk e di.

Por di që Andrea është njeri shumë korrekt, është qytetar i mirë dhe kudo ka punuar ndershmërisht! Ata që e njohin, ata që kanë punuar me të mund të thonë të njejtën gjë!

Andrea nuk është nga ata njerëz që shkel ligjin. Nuk e ka bërë kurrë. Nuk ia lejon tradita e familjes, nuk ia lejon formimi, edukata, karakteri i tij.

Unë nuk e di se çfarë ka në dosjen që po hetohet duke e mbajtur të arrestuar Andrean.

Por unë di që Andrea Nathanaili, në 36 vjet që që prej kur e njoh, kurrë nuk ka patur lidhje me shkelësit e ligjit.

Nuk e besoj të ketë as sot.

Unë nuk e di se përse po e mbajnë të arrestuar Andrea Nathanailin, por di qe po mbajnë në burg një njeri që deri ditën kur doli në pension, punoi me përkushtim e ndershmëri, kudo që iu dha mundësia të shërbejë, prej ditës së parë kur 23 vjeç djalë e emëruan mësues në rrethin e Mirditës.

Unë di që po mbajnë në burg një qytetar të mirë të vendit tim, ndërkohë që shumë të tjerë, shumë prej atyre që kapërdisen në pushtet a opozitë, me lidhje gjithëfarëshe me kriminelë e trafikantë, me të korruptuar e me ata që vjedhin e blejnë vota, janë ende në parlament, votojnë ligje e mbajnë fjalime për luftën kundër krimit e korrupsionit, pasi kanë dëgjuar një natë më parë zërin e tyre në përgjimet e prokurorisë si pjestarë të bandës së krimit të zgjedhjeve!

Sondazh

Article Logic
Execution time: 0.13715100288391
array(1) { ["section"]=> string(110) "po-mbajne-ne-burg-nje-qytetar-te-mire-te-vendit-tim-luan-rama-shkruan-per-punonjesin-e-arrestuar-te-ama-168992" }