PO NE, A E KEMI GATI NJË “ALBINKURT” ?!

Publikuar tek: pa-stres, më 11:28 09-10-2019 PO NE, A E KEMI GATI NJË “ALBINKURT” ?!

Nga Edi OGA ekskluzivisht për newsbomb.al *Ndalohet kopjimi apo riprodhimi i këtij materiali

Albinin e kam fiksuar si emër që në fillimet e veta të angazhimit në politikë, që kur e arrestuan dhe e burgosën si lider i protestave studentore antiserbe. Shumë e etiketonin si neomarksist, si komunist, si “…ist” si “…ist”, po njeriut të shkretë i duhet gjithmonë të gjejë një gozhdë, për të varur “xhaketën e bindjeve” të tij!

Çfarë ke qenë nuk ka rëndësi, sepse vetëm budallai nuk ndryshon mendje!

Rëndësi ka çfarë je sot! Çfarë je kur të japin një përgjegjësi kaq të madhe sa ajo e udhëheqjes së një populli të të tërë!

A nuk e kemi patur kryeministër ne, një ish-komunist, që kur u bë kryeministër ishte demokrati më i madh në këtë vend?

Unë jam i bindur se Sali Berisha nuk ka asnjë bulë komunizmi në gjakun e tij. Diktatori po.

A nuk kemi ne aktualisht kryeministër një individ të rritur e brumosur në një familje komunistësh të orëve të para?

Unë jam i bindur se Edi Rama nuk ka asnjë bulë komunizmi në gjakun e tij. Diktatori po.

Shprehja e dytë më e jetëgjatë në politikë, pas asaj që politika është kurvë, është kjo: në doni të njihni karakterin e dikujt, jepi atij pushtet!

E kemi parë çfarë ka bërë Sali Berisha kur ka pasur pushtet të pakufizuar!

Po e shohim çfarë po bën Edi Rama tani që ka një pushtet të pakufizuar!

A mund të bënin më keq? Sigurisht, shumë më keq!

Albin Kurti nëse bëhet kryeministër, do të jetë i dobët si i tillë, sepse do ta ndajë pushtetin gati përgjysmë me aleatin. Nëse Albini kryeministër bën mirë për Kosovën, në zgjedhje të tjera mund të marrë më shumë vota-besim dhe të forcojë pushtetin!

Pastaj do të duket Albini në është “i mirë” apo “i keq”!

Sidoqoftë, Albin Kurti përfaqëson një rreze shprese për Kosovën në momentet kur ajo ka më tepër nevojë për të.

Është në të njejtat raporte me shqiptarët si Berisha i Parë (president) në 1992, Nano i tretë 2002, Berisha i dytë 2005, Rama i parë 2013… Këta “diva” të politikës shqiptare, janë shfaqur në buzë të greminës së fateve të shtetit dhe kanë bërë detyrën për ta shpëtuar nga rrokullisja për poshtë. Se si e kanë bërë detyrën, kjo është çështje fansash, pak a shumë si tifozë klubesh futbolli. Personalisht, duke parë se në ç’zgrip përhumbjeje, nëpërkëmbjeje dhe fukarallëku ndodhemi aktualisht, e them pa mëdyshje se shumatorja e punës së këtyre burrave ka qenë negative, kanë bërë më shumë keq sesa mirë për këtë vend.

Jeta është e shkurtër dhe ne nuk e kemi luksin të rreshtim së shpresuari.

Shumica e votuesve të Kosovës, ia besoi shpresën dhe i dha besën Albin Kurtit!

Po ne, këtej kufirit, a po rrism një Albin Kurt? Cili është ai?

Lulzim Basha?! Erion Veliaj?! Saimir Tahiri?! Si e ka…Salianji? Elisa Spiropali?! Grida Duma?! Taulant Balla?! Apo “talentet më të rinj” Rudina Hajdari?! Kujtim Gjuzi?! Çufoja dhe Bubi kaçurrel?!...

Sondazh

Më shumë në këtë kategori: « POLITIKANËT NË SURRATIN TIM!
»
Article Logic
Execution time: 0.0083649158477783
array(1) { ["section"]=> string(40) "po-ne-a-e-kemi-gati-nje-albinkurt-181362" }