Një 38 vjeçar nga Malësia e Madhe është arrestuar pasi po transportonte me furgon afro 1 ton duhan. Në momentin kur mjeti është kontrolluar nga Policia, brenda tij është gjetur sasia e duhanit të tharë, pa faturë shoqërimi.
“Specialistët për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar në Drejtorinë Vendore të Policisë Kukës, në vijim të punës për goditjen e paligjshmërisë, kanë goditur një rast të kontrabandës me mallra për të cilat paguhet akcizë. Si rezultat u arrestua në flagrancë shtetasi E. A. 38 vjeç, banues në Grudë Fushë, Malësi e Madhe.
Në vendin e quajtur “Ura 6-metrorshe” është ndaluar mjeti tip furgon me drejtues shtetasin E. A. Gjatë kontrollit të ushtruar nga Policia brenda në furgon u gjetën dhe u sekuestruan 930 kg duhan (gjethe duhani të thata), pa faturë shoqërimi.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Kukës, për veprat penale “Kontrabanda me mallra për të cilat paguhet akcizë ose me pezullim të plotë apo të pjesshëm nga detyrimet doganore ose të akcizës” dhe “Tregtimi dhe transportimi i mallrave që janë kontrabandë” dhe “Fshehja e të ardhurave”, njofton Policia.