Specialistët për Krimet në Komisariatin e Policisë Shijak, falë ndërhyrjes së shpejtë kanë parandaluar përshkallëzimin e pasojave të një konflikti familjar.
Zeqir Nurka 27 vjeç, banues në Shijak ka ushtruar dhunë fizike dhe psikologjike ndaj bashkëshortes së tij 18-vjeçare, L.B. Ngjarja dyshohet se ka ndodhur për motive të dobta, ndërkohë që i riu është arrestuar nga Policia.
Me të marrë njoftimin, menjëherë në ndihmë të 18-vjeçares kanë shkuar Efektivët e Policisë dhe gjatë kontrollit të ushtruar në banesë kanë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provave material një armë zjarri automatik, tip kallashnikov, model 56, kalibër 7.62 mm dhe një krehër me 30 fishekë.
Policia thotë se Nurka ka qenë i dënuar më parë për veprën penale “Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik”.
Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës për veprime të mëtejshme për veprat penale “Dhunë në familje” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve dhe municioneve luftarake”.