POLITIKANËT NË SURRATIN TIM!

Publikuar tek: pa-stres, më 09:46 05-10-2019 POLITIKANËT NË SURRATIN TIM! Edi Oga

Nga Edi Oga ekskluzivisht për newsbomb.al *Ndalohet kopjimi dhe riprodhimi i këtij materiali

Këto ditë rinovova kartën e identitetit. Kur pashë foton e fytyrës time në të, u tmerrova; më shumë ngjaja me persona të tjerë, sesa me veten time!

Flokët më janë bërë si të Edi Ramës. Më janë rralluar dhe thinjur gjithandej! Pa e kuptuar edhe vetë i paskam qethur me makinë dhe i mbakam shumë të shkurtra!

Qeset poshtë syrit dhe rrudhat i kam si të Ilir Metës. Kam edhe disa njolla kaftore në faqe e në ballë, si ai!

Hunda më është zgjatur dhe po tenton të më mbulojë buzën e sipërme, si Erion Veliaj!

Më përpara, kur dilja në dokumente, vishja një buzëqeshje të lehtë e të pranueshme. Kësaj rradhe buzëqeshja ime i ngjan asaj të Lulëzim Bashës, hipokrite dhe e shtirur.

Mund t'ju duket e pabesueshme, por megjithëse jam tridhjetë vite më i ri sesa ai, kam marrë hijen e Sali Berishës!

Çfarë ka ndodhur me mua?!

Pse në portretin tim dalloj tipare individësh me të cilët nuk kam fare lidhje gjaku?!

A ka një shpjegim kjo metamorfozë e pamjes time?!

Ekziston një teori sipas të cilës njeriu është e mesmja e përpjesshme e pesë personave me të cilët shpenzon më tepër kohë. Kjo vlen për tipare të tjera, jo për pamjen e jashtme. Kjo vlen për karakteristika që kanë të bëjnë me sjelljen, humorin, gjuhën që përdor, kulturën që prodhon e konsumon. Nëse ti qëndron midis njerëzve të qetë dhe pozitivë, me humor të mirë dhe temperament të moderuar, gjasat janë të shumta që edhe ti të jesh si ata. Por trajtat fizike?! Pamja e fytyrës?!

I vetmi shpjegim, nëse mund të qëndrojë, është ekspozimi i gjatë përpara këtyre fytyrave! Tani që po e mendoj, këto janë fytyrat më të shpeshta të cilat kam parë këto dhjetë vitet e fundit. E gjitha kjo për fajin tim.

Dua të jem i sinqertë me ju.

Dua të rrëfehem.

I kam ndjekur të gjitha programet televizive ku ata kanë qenë të pranishëm.

Kam parë çdo konferencë shtypi që ata kanë dhënë në media.

Kam ndjekur çdo zbritje në bazë, çdo inaugurim, çdo vizitë ngushëlluese tek shtëpitë e viktimave për të cilat ata janë përgjegjës ose jo.

I kam ndjekur në takimet e tyre të nivelit të ulët dhe të lartë në vend dhe nëpër Botë.

Kam klikuar çdo lajm me foton e tyre në portale.

A mos vallë kur sheh një njeri kaq gjatë, fytyra jote automatikisht përshtatet dhe merr trajtat fiziologjike të tyre? Duke i parë kaq shpesh, tiparet e tua nuk kanë kohë të kthehen në gjendjen e mëparshme dhe kanë tendencë të ruhen të pandryshueshme?!

O Zot i Madh!

Kjo është dramë, o miqtë e mi! Drama ime!

Nuk dua t'ju bëj merak, po hidhini një sy të kujdesshëm fytyrës tuaj në pasqyrë.

Me siguri edhe ju do të kuptoni se i ngjani pak Ramës, Metës, Berishës, Bashës, Veliajt, Kryemadhit, Ballës, Mediut, Shehit, Vasilit, Pezës, Salianjit... por edhe Fevziut, Çanit, Ballës tjetër, Muçnanos, Lubonjës, Rakipit, Vasilit tjetër, Xhungës, Zogajt, Zhejit...

Sondazh

Më shumë në këtë kategori: « E DHA TELEVIZORI!
»
Article Logic
Execution time: 0.0075109004974365
array(1) { ["section"]=> string(34) "politikanet-ne-surratin-tim-180874" }