Politikani tipik, kjo qenie superiore!

Publikuar tek: pa-stres, më 09:50 20-02-2019 Politikani tipik, kjo qenie superiore! Edi Oga

Edi Oga ekskluzivisht për newsbomb.al

Politikanin tipik e lind një nënë, si ato që të kanë lidhur ty dhe mua. E rrit dhe e edukon së bashku me një baba si yti dhe imi. Si ka mundësi që ky individ që quhet politikan tipik, ndryshon kaq shumë nga mua dhe nga ti?!

Politikani tipik është një qenie që gënjen sy për sy dhe pas shpine, gënjen një njeri, dy njerëz, shumë njerëz, të gjithë njerëzit dhe në fund gënjen veten. Gënjen dhe mashtron në mëngjes, në drekë dhe në darkë, në ditë jave dhe në ditë pushimi, në dimër dhe në verë. Gënjen në fushatë, gjatë zgjedhjeve dhe pas tyre. Politikani tipik shan kundërshtarin me libër shtëpie dhe duron sharjet e tij të padurueshme. Më pas, bën aleancë me kundërshtarin, hanë darka familjarisht, qeverisin bashkë, gënjejnë bashkë, vjedhin bashkë. Politikani tipik ka nevojë për para, për shumë para, sepse politikani tipik ka shumë shpenzime. Politikani tipik e do shumë një grua, por jo të vetën. Ai i dërgon fëmijët në shkollat më të shtrenjta, jo sepse janë të zotët, por se janë të trashë. 

Politikani tipik vjedh shumë, sidomos kur është në pushtet. Kohët e fundit, një politikan që është në pushtet jo vetëm vjedh, por edhe grabit. Haptazi, ditën me diell, të bën edhe karshillëk. Për rehatinë e tij, ky grabitqar i hedh një kockë kundërshtarit në opozitë që ky ta lëpijë e të mos ngordhë derisa t'i vijë radha të marrë pushtetin.

Politikani tipik i njeh kriminelët. I përdor ata për të ardhur në pushtet dhe mendon se është më i zgjuar se ata. Mendon se do t'i përdorë për sa kohë do t'i duhen dhe do t'i largojë kur të mos t'i duhen më. Kjo nuk ndodh. Politikani tipik përdoret nga kriminelët. Ai i njeh ata dhe u shërben atyre. Politikani tipik është i kapur nga kriminelët. Në rastin më të mirë, politikani tipik u shërben oligarkëve. Ata nuk janë kriminelë, sepse veprojnë brenda ligjeve. Ligjet ua bën miku i tyre, politikani tipik.

Ndodh që politikani ka punë me drejtësinë. Politikanit nuk i hyn kurrë gjemb në këmbë. Drejtësinë e ka bërë ai me shokët e tij dhe atë e kontrollojnë oligarkët dhe kriminelët.

Për fat të keq, ky individ është i supozuar të bëjë tjetër gjë në jetë, këtij i delegohet fuqi nga populli që të propozojë dhe të vërë në jetë ide që rregullojnë jetën e të gjithëve. Politikani tipik bën të kundërtën, rregullon të vetën dhe shkatërron atë të atyre që i dhanë fuqinë. Praktikisht një bukëshkalë, një copë legeni. Një mosmirënjohës.

Për fat të keq, nëna e politikanit tipik, është gjithmonë shtatzënë!

Sondazh

Më shumë në këtë kategori: «
»
Article Logic
Execution time: 0.0063679218292236
array(1) { ["section"]=> string(43) "politikani-tipik-kjo-qenie-superiore-153497" }