Debati i ndezur që prej ditësh rreth projektit të parashikuar në Zvërnec dhe polemikave që kanë shoqëruar këtë investim ka marrë jehonë edhe në mediat ndërkombëtare. Në këtë klimë diskutimesh dhe kundërshtimesh kryeministri Edi Rama ka reaguar sërish, duke mbrojtur projektin dhe duke sqaruar pozicionin e qeverisë shqiptare lidhur me të.
Në një intervistë për Al Jazeera, kreu i qeverisë shqiptare e cilësoi investimin si një mundësi të rëndësishme për zhvillimin ekonomik të vendit, duke theksuar se bëhet fjalë për një projekt me vlerë rreth 4 miliardë dollarë, i cili sipas tij përbën një lajm pozitiv për Shqipërinë dhe perspektivën e saj të zhvillimit.
Rama u ndal edhe te zhurma që po glon rreth projektit, duke kundërshtuar pretendimet se qeveria është e përfshirë në transferimin apo shitjen e pronave publike. Ai sqaroi se territori në fjalë është pronë private dhe se iniciativa bazohet në një marrëveshje mes subjekteve private, pa asnjë rol apo përfshirje të drejtpërdrejtë të qeverisë shqiptare në proces.
Sipas kryeministrit, diskutimet dhe spekulimet që kanë shoqëruar projektin nuk ndryshojnë natyrën e tij, ndërsa investimi mbetet një nismë që synon të sjellë zhvillim ekonomik, punësim dhe ndikim pozitiv për zonën dhe vendin në tërësi.
“Sa i përket projektit që ka shkaktuar gjithë këtë reagim dhe polemikë në mbarë botën, bëhet fjalë për pronë private. Nuk bëhet fjalë për tokë publike që qeveria shqiptare po e jep duke e shitur vendin. Është pronë private. Është një shprehje interesi e bazuar në një marrëveshje private mes palëve private, në të cilën qeveria shqiptare nuk ka asnjë rol”, u shpreh kryeministri.
