Kryeministri Edi Rama ka komentuar këtë të martë polemikat që kanë shoqëruar projektin turistik që pritet të zhvillohet në Zvërnec nga Ivanka Trump dhe bashkëshorti i saj, Jared Kushner. Gjatë një bashkëbisedimi me gazetarët nga vendet e Bashkimit Europian, kreu i qeverisë u ndal te debatet e shumta që kanë lindur rreth investimit, duke theksuar se kur çifti amerikan vizitoi Shqipërinë për herë të parë, situata politike e Donald Trump ishte larg asaj që është sot.
Sipas Ramës interesi i Ivanka Trump dhe Jared Kushner për të investuar në Shqipëri nuk kishte lidhje me faktin se ata janë pjesë e familjes së presidentit amerikan, pasi në atë kohë ishte e paqartë se cili do të ishte fati politik dhe ligjor i Donald Trump.
“Arsyeja pse bota është entuziazmuar për këtë është për shkak të Donald Trump. Nuk besoj se flamingot në Shqipëri do të kishin bërë një zhurmë kaq të madhe nëse nuk do të kishte një rast për t’i shkuar pas Trump. Por kjo nuk ka të bëjë me atë. Kur Ivanka Trump dhe Jared Kushner erdhën këtu, nuk ishte e qartë nëse Donald Trump do të shkonte në burg apo në Shtëpinë e Bardhë. Për mua ata ishin investitorë amerikanë që pyesnin nëse mund të kishin një shans në Shqipëri”, u shpreh Rama.
Kryeministri iu përgjigj edhe kritikave që sipas tij kanë ndryshuar drejtim në varësi të rrethanave politike. Ai kujtoi se për vite me radhë është akuzuar nga kundërshtarët si një njeri i afërt me George Soros, ndërsa tani sipas tij po etiketohet si i lidhur me Jared Kushner.
“Nga njëra anë më thonë se jam gjithmonë i Sorosit, tani më thonë se jam i Kushnerit. Gjejeni tani se kush jam. Unë jam kryeministri i Shqipërisë që dua që të gjithë të vijnë dhe të investojnë këtu, të jenë miq të këtij vendi”, deklaroi ai.
Rama theksoi se Shqipëria nuk duhet të kthehet në arenë të përplasjeve politike që zhvillohen në Shtetet e Bashkuara apo në vende të tjera, duke nënvizuar se çdo projekt do të vlerësohet mbi bazën e fakteve dhe rezultateve konkrete.
Pjesë nga fjala e Edi Ramës:
Arsyeja pse bota është entuziazmuar për këtë është për shkak të Donald Trump, sepse nuk besoj që flamingot në Shqipëri do të kishin bërë një zhurmë kaq të madhe nëse nuk do të kishte një rast për t’i shkuar pas Trump, por kjo nuk ka të bëjë me atë. Kur Ivanka Trump dhe Jared Kushner erdhën këtu, nuk ishte e qartë nëse Donald Trump do të shkonte në burg apo në Shtëpinë e Bardhë. Për mua ata ishin investitorë amerikanë që pyesnin nëse mund të kishin një shans në Shqipëri, nuk ishin familja e Donald Trump pasi asokohe Donald Trump mund të shkonte edhe në burg.
Pa mendoni nga njëra anë mua më thonë që jam gjithmonë i Soros, tani më thonë je i Kushner, pa gjejeni tani se kush jam. Unë jam kryeministri i Shqipërisë që dua që të gjithë të vijnë dhe të investojnë këtu, të jenë miq të këtij vendi dhe nuk mendoj se Shqipëria duhet të jetë, po themi, ushqim për betejat politike në Amerikë apo diku gjetkë. Unë dua që çdo projekt të jetë i bazuar në fakte dhe përgjigjja do të jepet përmes projektit. Nëse projekti jep përgjigjen do të vazhdojmë, nëse nuk e jep përgjigjen e duhur atëherë do të duhet të përmirësohet. Por afro 25% natyrë më shumë rigjenerim do të sillet nga projekti, sepse këto janë objektivat, këto janë objektivat që ne kemi dhe kushdo që më merr të mirëqenë gabohet.
Nuk jam zgjuar kurrë një ditë të jetës time me mendimin si të bëj diçka të shëmtuar, gjithmonë kam besuar që bukuria është ajo që ne kemi nevojë dhe gjithmonë kam luftuar për më të bukurën. Jo gjithmonë ia kam dalë, por sot Shqipëria është një vend ku numri më i madh i arkitektëve të botës po punojnë së bashku për projektin. Ky lloj përqendrimi është diçka që nuk e gjeni dot në asnjë vend të Europës, sepse ne duam cilësinë, duam të bukurën, të ndodhin gjëra që e ndryshojnë këtë vend njëherë e mirë.

