Tetë polumbarë të forcave detare sot u angazhuan me situatën problematike në rezervuarin e Maskurisë në qytetin e Kavajës. Sipas njoftimit për shtyp të MInistrisë së Mbrojtjes, polumbarët janë zhytur dhe kanë identifikuar problematikën në këtë rezervuar. Polumbarët bënë kontrollin e pusetave dhe sistemin e tubacionit të ujëmbledhësit nga brenda rezervuarit.
“Ndërkohë që pasi është evidentur problematika, Forcat e Armatosura në bashkëpunim me efektivat e Forcës së Sigurisë së Kosovës, e cila i’u përgjigj pozitivisht kërkesës së Ministrisë së Mbrojtjes të Shqipërisë për ndihmë, bënë të mundur thithjen e ujit dhe normalizuan situatën në rezervuar” thuhet në njoftimin për shtyp të ministrisë së Mbrojtjes.
Ka vazhduar puna edhe për ndihmë në zona të tjera. Në komunën Novoselë janë angazhuar 132 forca, 14 mjete transporti, 2 mjete transport personel;i, një qendër mobile, 3 motopompa të mëdha dhe dy të vogla. Ushtarakët kanë shpërndarë edhe thasët me ushqim për blegtorinë.