Portieri i Partizanit Alban Hoxha i cili humbi bashkëshorten në nëntor të vitit 2014 kërkon të njihet ligjërisht si baba i djalit të tij. Dorjana Haka, humbi jetën 4 muaj më parë për shkak të një problemi shëndetësor pas lindjes dhe tashmë Hoxha endet dyerve të Gjykatës së Tiranës për shkak se nuk ka bërë procedurën e celebrimit me të ëmën e djalit, të ndjerën Dorjana Haka.
Portieri i Partizanit kërkon t’i njihet atësia dhe i biri të marë mbiemrin e tij në regjistrat e Gjendjes Civile, ku aktualisht i biri mban mbiemrin e së ëmës.
Gjykatësja Fahrije Hudo ka marrë përsipër shqyrtimin e çështjes.
Nga ana tjetër edhe i ati i Dorjanës, Enver Haka ka paditur Spitalin Universitar Obstetrik Gjinekologjik Koço Glozheni për të dëmshpërblyer familjen për dëmin e shkaktuar nga jeta e humbjes së vajzës së tij. Seanca do të zhvillohet më 21 prill dhe do të jetë nën drejtimin e gjyqtares Enkela Bajo.
Albani që nga momenti i humbjes së bashkëshortes është kthyer në një shembull frymëzimi e force për çdo prind të ri.
“Mundohem t’i bëj të dyja. Në fillim ka qenë e vështirë por mamaja më ndihmon shumë, është këshilluese, është ëngjëlli që më ka ndihmuar shumë në rritjen e djalit”, është shprehur Albani më parë kur është pyetur se si ia del të bëjë edhe nënën edhe babain tani që e shoqja nuk jeton më.