Prapaskenat e PAKTIT DETAR 1, rrëfehet Erl Murati: Një ish-kryeministër na tha 'Le ta marrin grekët, ujë me kripë është'

Publikuar tek: aktualitet, më 16:59 31-01-2018 Prapaskenat e PAKTIT DETAR 1, rrëfehet Erl Murati: Një ish-kryeministër na tha 'Le ta marrin grekët, ujë me kripë është'

Nga Anta Muçaku

Deklarata “bombë” e ministrit të Jashtëm Nikos Kotzias në televizionin grek ERT, ka nxitur një valë reagimesh.

Sikur mos mjaftonte “terri informativ” në të cilin u zhvilluan bisedimet mes palëve, u desh ministri grek që të mësonim se qeveria shqiptare kishte rënë dakort që Greqia të shtyjë kufirin e saj detar në 12 milje.

Sot me të drejtë opinioni publik e mediet pyesin: Ç’është ky zgjerim, kush vendosi për të, në ç’kushte, a është firmosur gjë?

E ndërsa pyetjet mbeten ende pa përgjigje dhe zyrtarë të qeverisë nuk po hedhin dritë për të qartësuar deri në fund këtë histori të errët, çdokujt i shkon mendja te skandali i vitit 2009, te marrëveshja me Greqinë e ish-ministrit të Jashtëm të asokohe, Lulzim Basha e homologes së tij Dora Bakojanis për t’i falur shtetit fqinj 354.4 km katrorë sipërfaqe ujore.

Ishte koha kur bëhej gazetari investigative dhe grupi i gazetarëve Erl Murati, Tedi Blushi, e Kujtim Boriçi zbuluan dhe publikuan në Gazetën Shqiptare që drejtohej nga Anila Basha, skandalin e cilësuar si “SKANDALI I SHEKULLIT”.

Sot Erl Murati, aktualisht kryeredaktor i GSH., rrëfen për newsbomb.al prapaskenat e atij pakti; si një ish-kryeministër i tha “Le ta marrin grekët, ujë me kripë është”, një ministër i jashtëm i këshilloi në zyrë të shkruanin me kujdes për çështjen, apo negociatorët e marrëveshjes famëkeqe që ministri aktual i Jashtëm i paditi në Prokurori asokohe për t'i graduar më pas ambasadorë.

berrr.png

INTERVISTA E PLOTË- Anta Muçaku për newsbomb.al

Erl, ti ke qenë pjesë e grupit të gazetarëve që zbuluan e publikuan skandalin e marrëveshjes detare me Greqinë të zotit Basha me homologen greke Bakojanis. Duam të na tregosh me detaje historinë e vitit 2009, si e kujton zbulimin e atij lajmi, si ju ra në dorë, ndjesitë e para, si proceduat më pas...

Historia e asaj që u quajt “skandali i shekullit”, u ngjiz nga qeveria shqiptare dhe kokëfortësia e saj për të mbajtur sekret, marrëveshjen e kufijve detarë me Greqinë. “Gazeta Shqiptare” ja doli të bëjë publik këtë pakt, të shpjegojë dhurimin e mbi 300 km katrorë territor tek fqinjët, të ngulmojë për muaj me rradhë me shkrime investigative të përditshme, derisa skandali mori dimension politik-kombëtar.

Pakti i prillit 2009 Basha-Bakojanis ishte në errësirë të plotë deri kur gazetari Tedi Blushi zbuloi tekstin e marrëveshjes, shoqëruar me koordinatat të cilat u dekriptuan në hartë nga koloneli Myslim Pashaj.

Një dekadë më vonë, unë nuk mund të zbuloj burimin e lajmit, pra kush ishte njeriu që na dha tekstin e marrëveshjes që qeveria e mbante sekret, por mund të them se ai ishte një diplomat.

Ndjesia e parë kur na ra në dorë ky dokument ishte zhgënjimi. Çështja ishte aq teknike sa nuk mund të shpjegohej: koordinata, shifra, paralele e meridianë për “përkthimin” e të cilave nevojitej një dorë eksperti. Mbaj mend që kryeredaktorja Anila Basha komunikoi me gazetarin Kujtim Boriçi, i cili rekomandoi që të kontaktonim një mikun e tij, ekspert i fushës. Mbrëmjen e 27 prillit, me tekstin e marrëveshjes në dorë, Tedi Blushi nxitoi të takonte një kolonel në rezervë, Profesor Doktor i Asociuar, një “Mjeshtër kërkimesh”, “Kandidat i Shkencave”, ish-drejtor i Institutit Gjeografik të Ushtrisë. Ky njeri quhej Myslym Pashaj dhe ajo që rrjedh është histori...

Dua të ndalojmë pak te koloneli Myslym Pashaj. Si u thirr në ndihmë, momentin e parë që mësoi se për çfarë bëhej fjalë dhe si e gjykon sot e kësaj dite kontributin e tij?

Më lart, kam renditur funksionet dhe titujt e z. Pashaj. Pikërisht për të treguar se ai është një njeri serioz, patriot, që bëri shpjegimin teknik të marrëveshjes. Për të qenë korrekt me historinë, dy ditët e para të skandalit, z. Pashaj pranoi të na ndihmonte me ekspertizën, por formimi i tij i ushtarakut e frenoi të fliste publikisht për çështjen. Andaj, ai na kërkoi të mos e identifikonim në gazetë dhe kështu bëmë.

Nuk dua të harroj ta përmend: eksperti i parë që ka folur me emër kundër kësaj marrëveshjeje që ditën e parë që plasi skandali, pra më 28 prill 2009, është ish-drejtori i Policisë Kufitare, Besnik Bakiu. Që ditën e parë, z. Bakiu e cilësoi marrëveshjen “antikushtetuese”. Kjo i bën nder atij, duke qenë se një vit më vonë, Gjykata Kushtetuese i dha të drejtë. (Për më shumë: konsulto GSH, 28-29 prill 2009)

Por, mund të them se, pa ndihmën e paçmueshme të kolonel Myslym Pashajt, dhurimi i mbi 300 km2 territor Greqisë nga qeveria “Berisha” nuk do të merrej vesh kurrë.

 “Pakti Detar 1” është marrëveshja e vetme dypalëshe që është rrëzuar nga Gjykata Kushtetuese në 90 vite histori të kësaj gjykate. Gati një dekadë pas publikimit të këtij skandali, a mendon se ka mbetur ende diçka e pathënë apo diçka e pazbuluar?

Historia e paktit detar ka gjithashtu një anë të errët, të pashkruar, por mjaft interesante për historinë e skandalit. Unë e kam nxitur kolegun Tedi Blushi që dikur, të publikojë një libër me kujtime. Ndonëse është pak herët për ta bërë këtë, ai do të kishte shumë për të thënë mbi këtë histori.

Ai mund të shkruajë se si një ish-kryeministër i Shqipërisë e takoi asokohe dhe i tha “mos shkruaj për detin, çke, ujë me kripë është, le ta marrin grekët”.

Mund të shkruajë për Kundëradmiralin që doli me harta greke (thua nuk kishte harta në gjuhën shqipe Ushtria jonë) të mbronte paktin Berisha-Karamanlis.

Mund të shkruajë për takimin që unë dhe ai patëm me një ministër të Jashtëm, i cili na paralajmëroi miqësisht të shkruanim më me kujdes për çështjen, “këshillë” që i dha fund në çast takimit tonë në zyrën e tij.

Mund të shkruajë për negociatorët e marrëveshjes famëkeqe, të cilët ministri aktual i Jashtëm i paditi formalisht në prokurori, por nga ana tjetër i gradoi ambasadorë.

Pra, në këndvështrimin tim, historia e “Paktit Detar 1” është jo vetëm një histori tradhtie kombëtare, por edhe një histori paradoksesh.

Tedi ndërkohë është në Presidencë si zëdhënës i zotit Meta dhe prej andej druajmë se do na thotë ndonjë emër, por ty të kemi këtu dhe mund të na i thuash. Kush ishte ky ish-kryeministri, kundëradmirali, ish –ministri i jashtëm apo negociatorët e graduar?

Disa prej këtyre të dhënave janë publike, Kundëradmirali është ish-komandanti i Flotës Detare të kohës, i cili më vonë u gradua zv/Shef i Shtabit të Përgjithshëm. Po kështu, emrat e 11 negociatorëve nuk janë sekret.

Për të tjerat, bëhet fjalë për biseda apo takime informale. Nuk mund t'i bëj publike pa lejen e tyre, me shaka do të thoja: Jo unë, jo tani, jo këtu

A mund të themi se jemi në të njëjtën situatë sot si me marrëveshjen e vitit 2009 edhe pse bisedimet janë kaq të pazbardhura e këtë herë s’kemi të bëjmë me një investigim por me një deklaratë “bombë” nga vetë Kotzias në ERT?

Përsa i përket mungesës së transparencës, sot jemi në të njëjtën situatë. Kronologjikisht, po të shihni negociatat Shqipëri-Greqi për zgjidhjen e çështjeve të mbartura, do të vëreni diçka. Muajin e fundit, çdo lajm i publikuar për këtë çështje ka ardhur ose nga mediat greke, ose nga deklaratat e Kotziasit dhe Ciprasit në Athinë.

Qeveria shqiptare ka heshtur dhe po hesht edhe kësaj dite mbi detajet e kësaj marrëveshjeje.

Nga Athina mësuam se palët kanë rënë dakord për heqjen e ligjit të luftës, nga Athina mësuam ku do të gërmohet për varrezat greke, nga Athina mësuam se paskan rënë dakord për rishikimin e teksteve të historisë. Po nga Athina, mësuam se “kufiri detar i Greqisë do të zgjerohet në 12 milje”.

Nuk dua të spekuloj: unë nuk e di nëse këtu po bëhet një tradhti e dytë. Nuk e di nëse nga pakti i ri detar Shqipëri-Greqi përfiton apo jo Athina, në kurrizin tonë. Nuk dua të ngre një kështjellë patriotizmi mbi paditurinë time.

Por dua të them se, ka një tendencë nga qeveria jonë për të fshehur detajet e marrëveshjes dhe për të folur në përgjithësi “po diskutojmë, po negociojmë”, ndërkohë që zyrtarët grekë kanë deklaruar se është rënë dakord për gjëra konkrete.

Ajo që s’më pëlqen është mungesa e transparencës. Natyrisht, ku ka mungesë transparence ka vend për spekulime dhe ato nuk po mungojnë.

Po reagimin e kryeministrit, si e shikon? Tha ndër të tjera "bëni durim"! Mos nuk kemi parë gjë akoma?

Nuk dua të paragjykoj askënd, por ja cila është situata ku ndodhemi tani:

Ministri i Jashtëm, Bushati foli në kohën e ardhme “do të negociojmë me palën greke”, kryeministri Rama tha “ditëm t’i hapim dhe dimë t’i mbyllim negociatat”, ndërsa greku Kotzias e bëri punë të mbaruar.

Cili ga këto 3 qëndrime i afrohet më shumë të vërtetës? Nuk e dimë.

Diçka tjetër. Kryeministri i etiketoi dje kritikët e çështjes si “patriotë me çizme dhe çamëristë…”.

Mu duk reagim i nxituar. Unë nuk e imagjinoj dot kryeministrin Cipras që, në përpjekje për të ulur vrullin nacionalist në Greqi të shkruajë, “patriotë me çizme dhe vorio-epiristë…”.

Çamët kanë vuajtur shumë ndër dekada, ndaj kryeministri i tyre mund t’ua kursejë termin përbuzës “çamëristë”.

Në 2009 na erdhi në ndihmë koloneli Pashaj. Sot në kushtet e mungesës së dokumentave e hartave per dekriptim, kush mund të hedhë me shume dritë për ç'po ndodh (aq kohë sa nga qeveria nuk kemi transparencë) pasi opinioni publik është në terr informativ. Une ve re edhe nëpër komente, janë të shumtë ata që me të drejtë pyesin : "Ç'po ndodh? Cila marrëveshje? U firmos?"

Dritë mbi çështjen, mund dhe duhet të hedhë qeveria. Mund ta provojë edhe opozita, me një seancën pyetjesh në komision apo interpelancë në seancë plenare. Mund ta bëjë presidenti i Republikës duke thirrur Këshillin e Sigurisë. Kujtoj që 1 nga 2 arsyet e rrëzimit të “Paktit Detar 1” nga Gjykata Kushtetuese ishte mungesa e plotfuqishmërisë – autorizimit që presidenti i jep qeverisë për të negociuar një marrëveshjet dypalëshe. A e ka marrë këtë radhë qeveria plotfuqishmërinë nga presidenti i Republikës? As këtë nuk e dimë.

Kërkesën për transparencë mund ta bëjë media, mund ta bëjë shoqëria civile, shoqatat patriotike dhe kushdo që ka dyshime mbi këtë histori të re. Nuk ka asgjë të keqe t’i kërkosh llogari qeverisë. Unë uroj që skeptikët dhe kritikët ta kenë gabim dhe uroj që qeveria ime, qeveria jonë të ketë negociuar me dinjitet me palën greke. Për të mirën e të gjithëve.

Ç’kujton nga qendrimi i Partisë Socialiste në opozitë asokohe për marrëveshjen e 2009-ës dhe si e shikon qendrimin e saj sot për çeshtjen e detit? Mendon se ka ndryshuar?

Partia Socialiste pati ndërgjegjen e qetë dhe gjeti guximin në vitin 2009, ta padiste paktin “Berisha-Karamanlis” në Gjykatën Kushtetuese. Duhet thënë se pavarësisht punës së palodhur të medias, nëse PS-ja nuk do t’i drejtohej Kushtetueses, marrëveshja do të ishte ratifikuar nga parlamenti dhe “dhurimi i detit” do ishte bërë fakt.

Kështu që historia duhet t’i jetë mirënjohëse opozitës së atëhershme dhe treshes Saimir Tahiri-Damian Gjiknuri-Myslym Pashaj të cilët e dorëzuan padinë dhe e mbrojtën atë në gjykatë.

Gjithashtu, nderi u takon anëtarëve të asaj gjykate, të cilët megjithëse hezituan në fillim (padia e PS u pranua me një votim 5 me 4, pra për një votë u rrezikua që ajo të rrëzohej) morën një vendim unanim 9 me 0, për ta rrëzuar marrëveshjen dhe për ta shpallur antikushtetuese.

Përpos kësaj, janë me dhjetëra juristët, diplomatët, historianët, ushtarakët dhe mbi të gjitha kolegët e të gjitha mediave të cilët arritën ta ngacmojnë, ta zgjojnë e ta ndërgjegjësojnë opinionin publik. Ky ndërgjegjësim dhe solidaritet i opinionit publik (njësoj si në rastin e armëve kimike) solli që fletët e librit ku po shkruhej një kapitull i errët i historisë sonë, të griseshin e të hidheshin në kosh. Për këtë, duhet të ndihemi të gjithë krenarë.

Sot, nëse ka ndryshuar apo jo qëndrimi i PS-së, do ta thotë historia.

berisha1.png

Sondazh

Article Logic
Execution time: 0.046401977539062
array(1) { ["section"]=> string(122) "prapaskenat-e-paktit-detar-1-rrefehet-erl-murati-nje-ish-kryeminister-na-tha-le-ta-marrin-greket-uje-me-kripe-eshte-108618" }