Presidenti META dekoron At Gjergj FISHTËN me titullin ‘Mjeshtër i Madh’: I jemi mirënjohës për punën e palodhur

Publikuar tek: aktualitet, më 14:17 04-10-2019 Presidenti META dekoron At Gjergj FISHTËN me titullin ‘Mjeshtër i Madh’: I jemi mirënjohës për punën e palodhur Presidenti Meta dekoroi At Gjergj Fishtën me titullin ''Mjeshtër i Madh''

Presidenti Ilir Meta dekoroi sot me titullin ‘’Mjeshtër i Madh’’ atdhetarin dhe personalitetin e letërsisë shqipe At Gjergj Fishta.

Kreu i Shtetit shfrytëzoi koncertin festiv të shoqatës ‘’Kuvendi Folklorik Kombëtar’’ për nder të Fishtës duke i dhënë titullin ‘’Mjeshtër i Madh’’ me motivacionin ‘’ Në shenjë vlerësimi për talentin e tij artistik dhe kontributin e njohur shumëvjeçar në pasurimin e folklorit të trevave veriore, si dhe për përçimin e vlerave të rralla e të vyera të muzikës popullore shqiptare në skenat ndërkombëtare”.

Meta mbajti dhe fjalimin e rastit, ku çmoi përkushtimin, kontributin në letërsi dhe politikë të At Gjergj Fishtës. Presidenti zgjodhi të citonte një shprehje të Fishtës për të nxjerrë në pah mbivendosjen e frymës kombëtare mbi dallimet fetare.

Fjalimi i Metës në ‘’Kuvendin Folklorik Kombëtar’’ ku dekoroi pas vdekjes At Gjergj Fishtën:
Jam i lumtur që gjendem sot në qytetin e mrekullueshëm të Lezhës, në të cilin gjendet jo vetëm memoriali i Heroit tonë kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu, por dhe qarku ku ka lindur Homeri i letrave shqipe, At Gjergj Fishta.

Dëshiroj të përgëzoj Shoqatën “Kuvendi Folklorik Kombëtar” që prej disa vitesh nderon kujtimin e At Gjergj Fishtës dhe sot organizon këtë koncert në nderim të veprës së tij. 

Kur flasim për At Gjergj Fishtën, kemi përballë një nga figurat më të shquara dhe më mbizotëruese të letërsisë shqipe për më shumë se gjysëm shekulli. Ai ishte poet, dramaturg, prozator, përkthyes por edhe kritik arti, historian i letërsisë dhe estet, duke u kurorëzuar me të drejtë si Poeti ynë Kombëtar.

Me dashurinë për atdheun, At Gjergj Fishta u bë shprehësi më i fortë i idealeve atdhetare dhe demokratike, duke vazhduar dhe mbështetur  në mënyrë të drejpërdrejtë idealet e Rilindjes sonë Kombëtare.

Ne i jemi mirënjohës At Gjergj Fishtës si për punën e palodhur, së bashku me Luigj Gurakuqin, për krijimin e gjuhës letrare kombëtare, ashtu edhe për atdhetarinë dhe entusiazmin e tij në mbështetje të shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë.

Ndërkohë, përkushtimi i At Gjergj Fishtës ndaj poezisë e vecanërisht epikës, që kulmon me veprën e tij të jashtëzakonshme ‘Lahuta e Malësisë’ vazhdoi gjatë gjithë jetës së tij. Ai punoi për 40 vjet për këtë vepër të jashtëzakonshme dhe trashëgimi kulturore të vendit tonë dhe me të drejtë u quajt “epiku më i madh i shekullit”.

Shpirti i tij i ndjerë poetik del në pah në librat e tij lirikë ‘Mrizi i Zanave’ dhe ‘Vallja e Parrizit’ apo në poezinë ‘Një lule vjeshtet’ që dëgjuam aq bukur të recituar sot, nga Kiara.

At Gjergj Fishta me veprat e tij kërkon shqiptarin e përjetshëm, kërkon të ndërtojë heroin, misionarin e kombit që duhet të ndërmarrë impenjime shoqërore konkrete.

Ky është një mesazh që edhe sot mbetet më i fortë dhe i vlefshëm se kurrë: Të punojmë për Shqipërinë, të ruajmë unitetin, të mirën dhe të ardhmen e saj.

Edhe pse ishte i përkushtuar ndaj një besimi, për të Shqiptaria ishte misioni më fisnik i kombit. Shqiptaria ishte misioni i tij, të cilën na e la trashëgimi dhe prej të cilës ne frymëzohemi edhe sot.    

 – Vërtetë kemi Bajram e Pashkë, por Shqiptarinë e kemi bashkë! – u shpreh ai duke vënë në pah vlerën e jashtëzakonshme që ka vendi ynë mbi harmonië fetare dhe nevojën për të qenë të bashkuar.

 Por, me trishtimin më të madh nuk mund të lë pa përmendur gjendjen e mjerueshme në të cilën gjendet shtëpia e At Gjergj Fishtës. Edhe pse e shpallur monument kulture, edhe pse mbart një vlerë të jashtëzakonshme në kulturën e vendit tone, ajo është e lënë pas dore.

Kjo shtëpi e rrënuar është një turp. Ajo duhet të ketë vëmendjen maksimale nga instancat shtetërore, duhet restauruar sa më parë dhe të ruhet dhe promovohet në mënyrë sa më dinjitoze duke respektuar figurën e At Gjergj Fishtës, por mbi të gjitha duke treguar sesa shumë vendi ynë i do dhe i nderon heronjtë e vet.      

Unë i jam mirënjohës shoqatës ‘Kuvendi Folkorik Kombëtar’ që e nderon më së miri figurën e tij dhe ka vendosur ta kthejë në një traditë të përvitëshme këtë aktivitet për At Gjergj Fishtën. Ashtu siç dua të falenderoj udhëheqësin artistik të kësaj shoqate, rapsodin popullor Gjon Frroku, që për mbi mbi 40 vite i është përkushtuar folklorit shqiptar.

Dhe në fakt, rapsodi popullor Gjon Frroku është edhe arsyeja tjetër se pse jemi në Lezhë. Gjatë karrierës së tij të gjatë, ai ka dhënë një kontribut të madh në ruajtjen dhe trashëgimin e vlerave të artit burimor shqiptar, si nëpërmjet performancave të tij artistike si rapsod edhe nëpërmjet organizimit të 5 kuvendeve kombëtare të folklorit.

Për të gjithë këtë kontribut të vyer në fushën e folklorit si dhe për punën e palodhur për ta përçuar trashëgiminë tonë jo vetëm brenda por edhe jashtë vendit në skenat ndërkombëtare, sot kam nderin t’i dorëzoj titullin ‘Mjeshtër i Madh’”.

Me këtë rast Presidenti i Republikës çmoi rapsodin e shquar popullor Gjon Frroku me Titullin “Mjeshtër i Madh”: “Në shenjë vlerësimi për talentin e tij artistik dhe kontributin e njohur shumëvjeçar në pasurimin e folklorit të trevave veriore, si dhe për përçimin e vlerave të rralla e të vyera të muzikës popullore shqiptare në skenat ndërkombëtare”.

 

Sondazh

Më shumë në këtë kategori: « Aksidenti në Lezhë, një person në gjendje të rëndë
Hidhet shorti: Përzgjidhen tre gjyqtarët që do shqyrtojnë dosjen ’Hajdari’ (EMRAT) »
Article Logic
Execution time: 0.0089850425720215
array(1) { ["section"]=> string(115) "presidenti-meta-dekoron-at-gjergj-fishten-me-titullin-mjeshter-i-madh-i-jemi-mirenjohes-per-punen-e-palodhur-180804" }