Ky është 12 vjeçari Isaelo Xhemali nga Vlora. Historia e tij nis ndryshe nga ajo e bashkëmoshatarëve të tij që ditën kur prindërit e tij biologjikë e hodhën në koshin e plehrave kur ishte ende foshnjë.
Por, një dritë shprese u shfaq në fund të tunelit, në momentin kur një zotëri nga komuniteti rom e strehoi në shtëpinë e tij. Sot Isaelo është 12 vjeç. Ai shkon në shkollë, mëson shumë dhe tregon se ka një dashuri të madhe për prindërit të cilët e birësuan.
Ai e pati të vështirë ta besonte lajmin që ishte i birësuar, por më vonë u mësua me këtë fakt duke kuptuar rëndësinë e familjes që e rriti dhe madje duke pohuar se është krenar për këtë gjë.
Familja që e rriti ka vështirësi ekonomike. Isaelo mundohet që çdo ditë të arrijë rezultate të larta në mësime e t'jua shpërblejë prindërve sakrificën.
Deri më sot, prindërit biologjikë nuk e kanë kërkuar, por 12 vjeçari thotë se sërish do të zgjidhte të jetonte në këtë familje që e rriti, pavarësisht se nuk i përket këtij komuniteti.