Komisioni i Pavarur i Kualifikimit (i njohur si sistemi i vettingu) ka shtyrë vendimin për prokurorin e Krimeve të Rënda Anton Martini, i cili pritej të jepte vendimin përfundimtar ditën e sotme për prokurorin ‘e hekurt’ për shkak të dosjeve të bujshme që ka hetuar.
Mësohet se ky vendim është shtyrë për shkaqe të arsyeshme, ndërsa nuk është dhënë një datë konkrete se ku do të ndodh.
Gjatë karrierës së tij, Martini ka hetuar dhe ka çuar para Gjykatës anëtarët e bandave kriminale më të fuqishme në vend, si banda e Lushnjes e drejtuar Aldo Bare, banda e Cërrikut e drejtuar nga Met Bozi dhe Rolnad Xhepexhiu, banda e Durrësit e drejtuar nga Lul Berisha si dhe banda e drogës e Met Kananit, i dënuar në SHBA për trafik droge.
Kujtojmë që prokurori Anton Martini është renditur i dyti nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë për të qenë pjesë e Strukturës së Posaçme Anti-Korrupsion (SPAK) dhe për të marrë emërimin, atij i duhet të kalojë si barrierë të fundit procesin e vetingut në të dy shkallët.