Prokuroria e Përgjithshme ka dorëzuar sot pasdite në Gjykatën e Lartë dojen për arrestimin e dy deputetëve Tom Doshi dhe Mark Frroku.
Gjithashtu, mësohet se gjatë ditës së nesërme do të hidhet shorti për kolegjin penal, ndërsa avokatët e të ndaluarve do të kërkojnë lirimin e klientëve të tyre, pasi e konsiderojnë ndalimin e deputetëve nga Policia si të jashtëligjshëm.
Prokuroria nga ana e saj do të kërkojë shpalljen si të ligjshme të ndalimit të Doshit dhe Frrokut, si dhe të kërkojë masën “arrest me burg” për dy deputetët.
Përreth 4 orë ka zgjatur seanca e pyetjeve ndaj Tom Doshit nga prokurorët e çështjes në ambientet e Drejtorisë së Policisë së Tiranës. Të pranishëm në seancën e pyetjeve kanë qenë edhe avokatët e deputetit, të cilët kanë deklaruar më parë se ndalimi i klientit të tyre është i paligjshëm.
Avokatët e deputetit Doshi kanë deklaruar se qendrimi i klientit të tyre për çështjen nuk ka ndryshuar dhe mbetet ai që ka mbajtur publikisht, ndërkohë kanë pranuar se nuk janë njohur ende me akuzat e Prokurorisë.
Avokatët kanë thënë se sot ka qenë momenti procedurial i pyetjeve nga prokurori, ndërsa mbeten në pritje të vendimit të Gjykatës së Lartë pas kërkesës së depozituar nga ta, ku kërkohet lirimi i Doshit.
Avokati i Tom Doshit Vladimir Meçi ka dorëzuar sot në Gjykatën e Lartë kërkesën për lirimin e menjëhershëm të Doshit, pasi sipas tij ndalimi është krejtësisht i paligjshëm.
“I kërkova lirimin e menjëherëshëm se është ndalim I kundërligjshëm. Prokurori ka tejkaluar kompetencat”, ka deklaruar Meçi pas dorëzimit të kërkesës. Avokati i Doshit përsërit edhe njëherë se ligji përcakton që Gjykata e Lartë ka 48 orë kohë për të marrë një vendim.
Prokuroria ende nuk e ka paraqitur kërkesën e saj ku do t’I kërkojë gjykatës vlerësimin e urdhër-ndalimeve dhe masën e arrestit.
“Doshi nuk është marrë akoma në pyetje. Do të merret pas pak’’, ka përfunduar avokati Meçi.