Mark Frroku po hetohet nga Prokuroria e Përgjithshme Shqiptare edhe për pastrim parash, përveç vrasjes me paramendim. Rreth 2.9 milionë dollarë mendohet se është pasuria e padeklaruar e Frrokut.
Inspektoriati i Lartë i Deklarimit të Pasurisë ka kallëzuar Frrokun në Prokurori për fshehje të pasurisë, pasi nuk ka bërë deklarimin e plotë të pasurisë së tij. ‘’Fakti që deputeti akuzohet për vrasje të ndodhur për shkak të konflikteve në rrjetin e prostitucionit, aktivitet nga I cili dyshohet se ka krijuar të ardhura të mëdha, dyshohet se ka krijuar pasuri të paligjshme, për të cilat nuk justifikon burimin e pasurisë’’, shkruan gazeta ‘’Panorama’’, duke cituar një burim të Prokurorisë.
Avokati i Mark Frrokut, Sajmir Vishaj deklaroi dje se kanë mbetur të befasuar nga akuza e dytë për mosdeklarim të pasurisë.
“Ndryshe nga kërkesa që ishte paraqitur në Këshillin e Mandateve jam i befasuar dihet për vrasjen në Belgjikë. Por në datën 1 është depozituar një kallëzim nga ILDKP-ja dhe është një nonsens. Kjo do të thotë që ne mund të shkojmë nesër ose pasnesër me disa akuza. Nuk kishte pse të ngutej organi i prokurorisë se ishte në arrest shtëpie dhe ruhej me policë, është rrezik imagjinar dhe jo real.”, deklaroi avokati i Frrokut, duke shtuar se Frroku e ka plotësuar formularin e deklarimit të pasurisë brenda afatit ligjor.