Pse makinat po nxjerrin tym të zi, 3 arsyet dhe rekomandimet e ekspertëve

Publikuar tek: aktualitet, më 08:12 05-01-2019 Pse makinat po nxjerrin tym të zi, 3 arsyet dhe rekomandimet e ekspertëve

A e keni parë sa janë shtuar automjetet që qarkullojnë në rrugë dhe që nxjerrin tym të zi?!

Aq shumë saqë shpesh është e pamundur të ecësh në rrugë, pasi nëse njëra prej tyre të kalon pranë rrezikon të asfiksohesh. Dhe situata duket se vetëm sa po përkeqësohet dhe askush nuk po merr ndonjë masë për të ndaluar këtë tym që është burim sëmundjesh.

Ekspertët japin tre arsye për këtë situatë: Së pari vjetërsia e makinave që qarkullojnë në vend, teksa më shumë se 90% e stokut të automjeteve është mbi 10 vjet, së dyti, cilësia e karburantit që qarkullon në Shqipëri dhe së treti mungesa e kontrolleve nga SGS, kompania që bën kontrollin vjetor të automjeteve. Për ta një situatë e tillë është e pakonceptueshme, teksa rekomandojnë liberalizimin e shërbimit të kontrollit teknik dhe rritjen e kontrollit mbi cilësinë e karburanteve.

“Nuk e kuptoj as sot, sesi ka mundësi që makina të tilla janë ende në qarkullim!?”, thotë Gentian Bushati, menaxher i përgjjithshëm i Porsche Albania. “Habia ime i referohet aspektit ligjor, që përcakton më së miri lejimin e çlirimit të gazrave në atmosferë nga makinat me djegie të brendshme, të cilat duhet të kontrollohen rigorozisht nga SGS, kompania përgjegjëse për kontrollin teknik të automjeteve në Shqipëri.”

Ai thotë se duhet të ketë angazhim të disa pushteteve, si ai qendror, madje situata alarmante për sa i përket kontrollit të makinave duhet të ndryshojë sa më shpejt. Për sa u përket karburanteve, ndërgjegjësimi i përdoruesve të mjeteve ka arritur aty ku të gjithë kritikojnë cilësinë e ofruar të karburanteve në Shqipëri.

“Ne kemi problem me ligjshmërinë, sepse po t’i referohemi ligjit apo institucioneve që merren me kontrollin e kalibrimin e këtij sektori, gjithçka duhet të jetë në parametra optimalë, por siç edhe publiku e di, një gjë e tillë nuk ndodh, cilësia e dobët, por edhe saktësia në mbushje shpeshherë, shënon më shumë sesa litrat”, pohon Bushati.

Ai rekomandon që Qeveria duhet të ndërhyjë që të përmirësojë cilësinë e karburanteve të përdorura në Shqipëri për të mundësuar përmirësimin e mjedisit, por edhe për të ulur kostot e dëmeve që shkakton kjo cilësi në mjetet që përdorim përditë.

Për Eno Zenelin, drejtor i Automaster, importuesi zyrtar i Fiat Chrysler Automobiles, problemi kryesor qëndron te cilësia e karburantit. “E shohim çdo ditë në servis. Është një situatë e vjetër tashmë dhe zgjidhjet janë shumë të thjeshta, por duhet vullnet i fortë nga organet ligjzbatuese. Fakti që asnjë prej markave prestigjioze ndërkombëtare nuk është e pranishme në tregun e karburantit tregon që kemi një problem me këtë sektor dhe kryesisht me cilësinë e tij”, pohon Zeneli.

Reinaldo KRISAFI, CEO i Tendence3a, distributor zyrtar Renault Dacia Nissan, pohon se kjo situatë vjen si pasojë e shumë faktorëve që tashmë dihen, cilësia e dobët e karburantit, kryerja jo në kohën e duhur e serviseve të automjeteve, mjete të amortizuara me apo pa kryer shërbime periodike dhe teknike.

“Vendimi i qeverisë për futjen në treg të mjeteve së fundmi Euro 5, si dhe masat shtrënguese që duhet të jenë në homologim në Euro 5, të mjeteve aktuale që qarkullojnë dhe standardi i karburantit, njëkohësisht dhe liberalizimi i kontrollit periodik, janë faktorët më të mëdhenj që so të zgjidhnin problemin e ndotjes në Shqipëri”.

Sokol Kodra, drejtor i Auto Star Albania Sh.A, distributori ekskluziv i Mercedes-Benz në Shqipëri cilëson si një nga arsyet kryesore faktin që vitet e fundit është rritur ndjeshëm vjetërsia e makinave në qarkullim dhe numri i makinave me vjetërsi të lartë, përfshirë dhe mjetet e tonazhit të rëndë. Për shumë arsye, mjetet e vjetra djegin çfarëdolloj karburanti dhe as që duan t’ia dinë për cilësinë apo tymin që lëshojnë nga pas.

Së dyti, shton ai niveli i ndotjes dhe sistemi i tyre i reduktimit të emetimeve është i vjetruar dhe me kalimin e viteve, edhe performanca e tyre bie ndjeshëm dhe rezultati është tymi apo emetimet që ata lëshojnë. Të sjellësh automjete me motorë Euro 0-2 pa asnjë lloj standardi, sigurisht që bëjnë tym gjithë rrugën. Pa llogaritur pastaj automjetet e tonazhit të rëndë me motor Euro 1, që shpenzojnë 25-40 litra naftë që bëjnë mjegull gjithë autostradën. Këtu tek ne nuk ka asnjë kontroll dhe asnjë masë ndaluese. Është një fenomen që të gjithë e dinë, të gjithë e pranojnë nën zë, por nuk reagojnë. Sa më të reja automjetet (përfshirë furgonët dhe kamionët) aq më shumë kujdes imponojnë për vetë poseduesit.

Kodra nuk përjashton as problematikat që lidhen me cilësinë e karburantit, në kushtet e një tregu si Shqipëria, ku operojnë dhe kompani që nuk respektojnë ose manipulojnë cilësinë e produkteve që tregtojnë./Monitor

 

Sondazh

Më shumë në këtë kategori: « Bora 'pushton' vendin, Rama publikon FOTOT: Punë edhe gjatë natës
Bora dhe acari 'pushtojnë' vendin , temperaturat bien në -13 gradë Celsius »
Article Logic
Execution time: 0.0047369003295898
array(1) { ["section"]=> string(79) "pse-makinat-po-nxjerrin-tym-te-zi-3-arsyet-dhe-rekomandimet-e-eksperteve-147570" }