Publikohet letra e Gandit dërguar Hitlerit për ndalimin e Luftës së II-të Botërore

Publikuar tek: bota, më 19:46 02-04-2015 Publikohet letra e Gandit dërguar Hitlerit për ndalimin e Luftës së II-të Botërore

Mohandas Gandi i njohur me emrin Mahatma që nënkupton titullin nderues “shpirt i madh” ishte udhëheqësi i Lëvizjes së Pavarësisë indiane që në vitin 1921 dhe njihet për qeverisjen e tij me anë të metodave paqësore.

Duke përdorur qeverisjen paqësore ai arriti lirinë e Indisë nga Perandoria britanike në vitin 1947, 6 muaj para vdekjes së tij. Gandi bëri përpjekje që ta ushtronte fuqinë e tij paqësore edhe mbi diktatorin gjerman Adolf Hitler për parandalimin e Luftës së II-të Botërore në vitet 1939-1940 nëpërmjet disa letrave që i dërgoi.

“Busines Insider” ka bërë publike letrën që i ka dërguar Gandi diktatorit gjerman Adolf Hitler.

“I dashur mik

Që të drejtohem si një mik nuk përbën aspak formalitet. Unë nuk kam armiq. Aktiviteti im në këto 33 vitet e fundit të jetës ka qenë që të ndihmoj njerëzimin të jenë miq, pavarësisht nga raca, ngjyra apo feja.

Unë shpresoj që të keni kohën dhe dëshirën për të ditur se si jetojnë një pjesë e njerëzimit nën influencën e doktrinës suaj për miqësi universale. Nuk kemi asnjë dyshim në lidhje me trimërinë tuaj apo përkushtimin ndaj atdheut dhe nuk besojmë se jeni përbindësh ashtu siç përshkruheni nga kundërshtarët tuaj. Por, deklaratat tuaja dhe të admiruesve tuaj nuk lënë vend për dyshim se shumë nga veprat tuaja janë monstruoze dhe të papërshtatshme për dinjitetin njerëzor, sidomos në vlerësimin tim që besoj në miqësinë universale. Të tilla janë dhuna ndaj Çekosllovakisë, Polonisë dhe Danimarkës. Unë jam i vetëdijshëm se plaçkitja për ju është vepër e virtytshme, por nga fëmijëria kemi mësuar që ta quajmë atë si akt denigrues, prandaj nuk mund të të urojmë suksese.

Por pozicioni ynë është unik. Ne i kemi rezistuar imperializmit britanik ashtu si do të ndodhë me nazizmin. 1/5 e racës njerëzore është sunduar nga Britania me mjete që nuk po i marr në shqyrtim dhe rezistenca jonë ndaj atyre është një revoltë e paarmatosur , pa qëllimin për t’i sjellë dëm popullit britanik. Asnjë plaçkitës nuk mund të sundojë pa bashkëpunimin e vullnetshëm apo të detyrueshëm të viktimës. Sundimtarët mund të kenë vendin dhe trupat tanë, por jo shpirtrat. Ato mund të kenë Indinë vetëm nëse vrasin çdo burrë, grua dhe fëmijë indian. Nuk është heroizëm, por revolta është e vërtetë. Nëse burrat dhe gratë do të gjendeshin në Indi ata do të ishin të gatshëm që në mënyrë vullnetare të jepnin jetën e tyre në vend që të përkuleshin në gjunjë përpara plaçkitësve duke treguar në këtë mënyrë rrugën e lirisë nga tirania dhe dhuna. Më besoni kur them se do të gjeni burra dhe gra të tillë në Indi. Ata e kanë bërë këtë 20 vitet e fundit.

Ne kemi gati gjysmë shekulli që po përpiqemi për t’i dhënë fund sundimit britanik dhe Lëvizja e Pavarësisë nuk ka qenë kurrë kaq e fortë sa tani. Organizata më e fuqishme politike në Indi, Kongresi Kombëtar Indian po përpiqet që të arrijë këtë qëllim. Kemi patur shumë sukses përmes përpjekjeve jo të dhunshme duke luftuar dhunën që përfaqëson pushteti britanik. Ju e keni sfiduar atë dhe mbetet të shihet cila është organizuar më mirë, Gjermania apo Britania. Ne dhe racat joeuropiane të botës e dimë se çdo të thotë thembra britanike. Ne kemi gjetur një forcë jo të dhunshme, e cila e organizuar mund të luftojë të gjitha forcat e kombinuara më të dhunshme në botë. Por teknika jo e dhunshme nuk synon një disfatë të tillë. Ajo është e gjitha “bëje ose vdis”, pa vrarë apo dëmtuar. Ajo mund të bëhet pa para dhe pa ndihmën e shkencës së shkatërrimit. Kjo është një gjë e mrekullueshme për mua pasi nuk është monopol i askujt. Nëse jo britanikët, disa fuqi të tjera do të përmirësojnë metodën tuaj dhe do t’ju mundin me armën tuaj. Ju po i lini një trashëgimi popullit tuaj, për të cilën mund të ndihen krenar. Por, ato nuk mund të ndihen krenar për një vepër mizore, megjithatë e planifikuar me mjeshtëri. Unë, po apeloj në emër të njerëzimit që të ndalni luftën. Ju nuk do të humbisni asgjë, duke iu referuar të gjitha çështjeve të këtij konteksti, nëse arrini në një zgjidhje të përbashkët në një Gjykatë Ndërkombëtare me Britaninë e Madhe. Nëse arrini sukses në luftë, kjo nuk do të thotë se kishit të drejtë. Ajo do të vërtetojë vetëm se pushteti juaj i shkatërrimit ishte shumë i madh.

Ju e dini se kohë më parë i kam bërë një apel çdo anglezi që të pranojë metodën time dhe e bëra pasi britanikët më njohin si një mik dhe jo si rebel. Por, jam një i huaj për ju dhe njerëzit tuaj, ndaj nuk kam guxim që t’jua bëj edhe ju ankesën që kam bërë për çdo anglez. Jo se kjo nuk do të zbatohet nga ju me të njëjtën forcë si me britanikët, por propozimi im është më i thjeshtë dhe praktik në këtë mënyrë.

Në një kohë kur popujt e Europës kërkojnë paqe, edhe ne kemi pezulluar luftën tonë të paqes. Është shumë që t’ju kërkoj të bëni një përpjekje për paqe gjatë një kohe kur kjo nuk do të thotë asgjë për ju, por do të thotë shumë për miliona europianë të cilët qajnë në heshtje për paqe dhe veshët e mi kanë dëgjuar miliona memecë të tillë. Kam si qëllim që t’i bëj një thirrje të përbashkët edhe Musolinit që kam pasur privilegjin ta takoj kur isha në Romë përgjatë vizitës në Angli si një delegat në Konferencën e Tavolinës së Rrumbullakët. Unë shpresoj që ai të marrë parasysh këtë kërkesë bashkë me ndryshimet e nevojshme.

Sondazh

Article Logic
Execution time: 0.013842821121216
array(1) { ["section"]=> string(87) "publikohet-letra-e-gandit-derguar-hitlerit-per-ndalimin-e-luftes-se-ii-te-boterore-7671" }