Dy shtetas nga Elbasani, u ndaluan mëngjesin e sotëm në orën 02.00 në doganën e Qafë Thanës pasi tentuan të fusin në Shqipëri në mënyrë të padeklaruar një sasi të madhe të hollash, secili në shumën mbi 10 mijë euro, por pa e deklaruar për autoritetet.
Sipas informacionit të policisë kufitare të Korçës, shtetasit Ardjan Daka dhe Gëzim Xheko, tentuan të hynin në Shqipëri me paratë në euro, pa dashur tua deklarojnë autoriteteve, ndërkohë që janë pyetur se çfarë kanë pasur për të deklaruar.
Kur policia kufitare ushtroi kontroll, njërit prej tyre iu sekuestrua në cilësinë e provës material shuma prej 10130 euro dhe 25.000 lekë të reja që nuk i kishte deklaruar.
Ndërkohë që shtetasi tjetër posedonte shumën prej 10.100 euro të padeklaruara. Policia shoqëroi të dy personat ndërkohë që materialet për këtë cështje pas sekuestrimit të parave iu referua prokurorisë së Pogradecit nën akuzën e “Mosdeklarimit të të hollave në kufi”.