Qëllimi është pajtimi

Publikuar tek: analiza-komente, më 22:13 03-02-2015 Qëllimi është pajtimi

Prej shekujsh, ende edhe sot Shqipëria konsiderohet vendi më i panjohur i Europës, - gjithmonë në periferinë politike, gjithmonë në periferi të perceptimit europian. Për gati një gjysmë shekulli e izoluar nga bota, viktimë e një diktature staliniste me pasoja të thella e të gjithanshme, politike, ekonomike, shoqërore dhe individuale. Zgjimi – i dhimbshëm; rruga drejt demokracisë – e mundimshme.

Shqipëria e sotme është një vend tjetër, një vend ku shpresa për të ardhmen mbijeton, megjithë vështirësitë e panumërta. Nga viti 2014 kandidate për anëtarësim në Bashkimin Europian!

Kjo është e tashmja e një vendi, por me një të shkuar që ende rëndon, e kaluara e një diktature komuniste që ende nuk është kapërcyer. Kur ndodh që asaj t‘i shmangesh, kur kjo e kaluar përdoret më së shumti për retorikë politike apo ngec me vite si peng i luftës partiake, atëherë ajo mbetet ngultazi një e shkuar e pa-shkuar. Trashëgimia e njërës prej diktaturave më të ashpra pas Luftës së II Botërore në Europë nuk duhet t’i dorëzohet thjesht harresës, pa ballafaqimin, analizimin e saj të thellë, nuk duhet të stampohet si e djeshme e tejkaluar, pa ngritur një kulturë të plotë të kujtesës.

Pa dyshim e tashmja e Shqipërisë ofron sfida jo të lehta, sigurisht lufta për mbijetesën e përditshme në njërin nga vendet më të varfra të Europës është e mundimshme, ekzistenciale. Nuk është e vështirë të thyhesh para këtyre sfidave! Nuk është e vështirë ta lësh të pluhuroset e shkuara! Por për një shoqëri që do të hiqte dorë vullnetarisht nga e vërteta, kjo do të thotë kapitullim para padrejtësisë, para bilancit të përgjakshëm dhe trashëgimisë së rëndë të diktaturës.

Mijëra viktima të ekzektuara, qindra mijëra të internuar, të dënuar politikë, familjarë e të afërm, të cilëve iu rrënua jeta duan drejtësi, nuk duan mëshirë, nuk duan zbukurim të së shkuarës. Ata nuk duan ta ndajnë në klasa shoqërinë, e të helmojnë bashkëjetesën siç vepruan përgjegjësit e regjimit komunist. Përkundrazi: Kujtimi ndaj tyre duhet të sjellë paqen e brendshme, - qëllimi është pajtimi.

Përballja me të shkuarën e diktaturës nuk është një retorikë boshe, ajo është e matshme: E matshme me mënyrën si veprohet me autorët e një diktature, e matshme me atë se si dhe kur u dëmshpërblyen dhe u rehabilituan viktimat e saj. Përballja me të shkuarën nuk do të thotë ngulje e mjerë në kujtime, ajo është një mundësi për të hapur dyert e së ardhmes duke mbajtur brenda vetes ndërgjegjësimin për të shkuarën. Shembulli më i mirë i kësaj është Gjermania sot!

Gati një çerekshekulli pas rënies së diktaturës në Shqipëri, vendi ende renditet ndër vendet e fundit që ende nuk i kanë hapur dosjet e komunizmit. Hapja e tyre do të ishte hapi i parë kundër heshtjes, një kontribut i rëndësishëm drejt ngritjes së kulturës së kujtesës, një mundësi për të bërë transparencën e strukturave dhe mekanizmave të regjimit diktatorial të Enver Hoxhës. Të mbijetuarit do të kishin mundësi të mësonin të vërtetën e jetës së tyre, dhe t’i jepnin fund dyshimeve e hamendësimeve që i shoqërojnë një jetë të tërë. Debateve shoqërore në vend, botës studimore, artit e fushave të interesuara do t’u ofroheshin mundësi të reja të panumërta që të depërtonin, kuptonin e rikonstruktonin historinë me mjetet e lëmisë së tyre, të studionin e zhvillonin një këndvështrim të diferencuar shkencor për këtë periudhë.

Një shoqëri e civilizuar e shekullit të 21, një vend në Europë që aspiron anëtarësimin në BE, mund dhe duhet të jetë i aftë t’i japë emrin që meriton padrejtësisë, të zhvillojë një qëndrim adekuat për historinë e re të vendit. Pa e humbur kohën në sherre bllokuese mes partive politike! Sepse viktimat e diktaturës nuk i përkasin asnjë partie, ato janë përmendore kujtimi e të gjithë Shqipërisë. Ka mundësi që leximi i një dosjeje personale mund të ngjajë me dhimbjen e një plage, mund të trondisë, por e vërteta me qartësinë që sjell është një mundësi shërimi. Me hapjen e dosjeve mijëra fate do të gjenin paqen, ndërsa gjeneratat e reja do të mësonin të njihnin më mirë historinë.

Ka ardhur koha për ta ndriçuar këtë pjesë të errët, ende të kyçur të Shqipërisë, koha për të hapur dosjet në Shqipëri, me një ligj konsesual që dot’i kthente dinjitetin viktimave, do të ruante personalitetin e njeriut në një shtet të së drejtës. Përkundër dyshimet për vërtetësinë e tyre, zërave për shkatërrimin apo frikës për manipulimin e dosjeve, një hap i tillë do të ishte historik për të nxjerrë në dritë fytyrën e një epoke!

 

*Titulli është i redaksisë

Sondazh

Article Logic
Execution time: 0.025854110717773
array(1) { ["section"]=> string(26) "qellimi-eshte-pajtimi-2268" }