Qeveria hap tenderin për koncesionin e hidrocentralit "Katundi i Ri"

Publikuar tek: aktualitet, më 19:05 24-05-2016 Qeveria hap tenderin për koncesionin e hidrocentralit

Qeveria shqiptare hapi sot tenderin formal për dhënien me koncesion të Hidrocentralit të Katundit të Ri, një koncesion për të cilin më herët ka dhënë një bonus shumë të debatuar për një kompani turke si “koncesion i pakërkuar”.

Njoftimi i hapjes së tenderit publikuar në faqen e internetit të Agjencisë së Prokurimit Publik, thotë se kompanitë e interesuara do të mund të kryejnë një vizitë në vendin e hidrocentralit më 7 qershor të këtij viti dhe do të kenë kohë të dorëzojnë ofertat e tyre deri më 11 korrik.

Teorikisht tenderi është i hapur për çdo kompani të interesuar, por konsorciumi i dy kompanive turke, Bashkimi i Përkohshëm i Shoqërive “Suzer” dhe “Nurol”, ka marrë sakaq me vendim qeverie një bonus me 8 për qind të pikëve nga 100 të mundshmet për t’u fituar në tender, gjë që do të thotë se konkurrentët e tjerë të mundshëm do të duhet të vuajnë shumë për të mposhtur një konkurrent që disponon një avantazh të tillë.

Pak javë më parë, qeveria tenderoi një projekt tjetër koncesionar, hidrocentralin e Poçemit mbi lumin Vjosë, tender ku mori pjesë vetëm një kompani, pikërisht kompania që pati marrë bonusin me vendim qeverie, ndërsa asnjë kompani tjetër nuk e pa të arsyeshme të konkurronte në një tender me fitues të paracaktuar.

Dokumenti i tenderit i publikuar nga qeveria zbulon gjithashtu se askush nuk i ka matur prurjet e lumit Drin e Zi, ku do të ndërtohet hidrocentrali që nga viti i largët 1990 dhe se matjet e vetme janë kryer në vitet 1960-1990.

“Ka disa stacione meteorologjike dhe hidrologjike mbi Lumin Drini i Zi. Gjithsesi, të dhënat e këtyre stacioneve janë deri në vitet 1990 – të dhe nuk i mbulojnë vitet e fundit,” shkruhet në dokumentin e hapjes së tenderit.

Gjithashtu, qeveria raportohet se ka kërkuar heqjen e një pjese të zonës që preket nga hidrocentrali nga territori i Parkut Kombëtar të Korabit, i shpallur prej kohësh Zonë e Mbrojtur.

Në kohën e Komunizmit, Shqipëria projektoi shfrytëzimin e kaskadës së Lumit Drin përmes ndërtimit të pesë hidrocentraleve, Skavicë, Fierzë, Koman, Vau i Dejës dhe Bushat. Nga këto, Fierza, Komani dhe Vau i Dejës u përfunduan para viteve 1990 ndërsa Skavica dhe Bushati mbetën të pandërtuara dhe projektet hasën në vështirësi për shkak se në planin origjinal të konceptuar, përfshihej përmbytje tokash në Maqedoni dhe ulje e nivelit të Liqenit të Shkodrës, i cili shtrihet në Shqipëri dhe Malin e Zi. Hidrocentrali i Bushatit, i cili qe parashikuar të ndërtohej me ujëmbledhës dhe me kapacitet të instaluar 80 MË, u zëvendësua me hidrocentralet Ashta 1 dhe Ashta 2, të cilat u ndërtuan me koncesion në vitet 2009-2012 ndërsa hidrocentrali i Skavicës u dha me koncesion të pakërkuar nga qeveria Nano në vitin 2005 për të mbetur një projekt i vdekur për një dekadë të tërë.

Propozimi aktual është shfrytëzimi i pjesës së sipërme të lumit Drin për ndërtimin e dy hidrocentraleve, të cilat do të njihen si Katund i Ri dhe Skavicë. Skema aktuale bazohet në një studim të kryer nga një kompani franceze për llogari të shtetit shqiptar në vitin 2009, referuar si studimi Sogreas. Për shkak se studimi ekziston, shumë ekspertë si dhe opozita politike kanë kritikuar qeverinë aktuale për dhënien e bonusit për bashkimin e kompanive turke, duke e quajtur procedurën klienteliste. Qeveria i është përgjigjur duke argumentuar se qeveria paraardhëse ka dhënë më shumë koncesione të tilla, ndërsa argumenton se kompania turke ka bërë “studim fizibiliteti” në bazë të së cilit, qeveria e ka parë të arsyeshme t’i japë 8 për qind bonus. /Reporter.al/

Sondazh

Article Logic
Execution time: 0.009335994720459
array(1) { ["section"]=> string(72) "qeveria-hap-tenderin-per-koncesionin-e-hidrocentralit-katundi-i-ri-41384" }