Qerveria e Shqipërisë ka miratuar sot marrëveshjen për ngritjen e Task-Forcës Mjekësore midis vendeve të Ballkanit Perëndimor.
Vendimi është marr sot në mbledhjen e qeverisë, ndërsa ka qenë propozim i ministres së Mbrojtjes, Mimi Kodheli.
Pjesë e kësaj marrëveshje janë Shqipëria, Maqedonia, Mali i Zi, Slovenia, Serbia dhe Bosnje-Hercegovina, ndërsa mungojnë Kosova dhe Kroacia.
“Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 5 e 7, të ligjit nr.8371, datë 9.7.1998, “Për lidhjen e traktateve dhe marrëveshjeve ndërkombëtare”, me propozimin e ministrit të Mbrojtjes, Këshilli i Ministrave, vendosi: Miratimin, në parim, të marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë, Këshillit të Ministrave të Bosnjës dhe Hercegovinës, qeverisë së Republikës së Maqedonisë, qeverisë së Malit të Zi, qeverisë së Republikës së Serbisë dhe qeverisë së Republikës së Sllovenisë, për ngritjen e Task-Forcës Mjekësore të Ballkanit, sipas tekstit bashkëlidhur këtij vendimi”, thuhet në njoftimin e Këshillit të Ministrave.
Në mbledhjen e qeverisë është miratuar ndër të tjera edhe memorandumi i mirëkuptimit për konfidencialitetin dhe sigurinë e informacionit, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Zyrës së Policisë Evropiane.