Qeverisja ‘hidh gurin dhe fshih dorën’

Publikuar tek: analiza-komente, më 17:39 26-01-2019 Qeverisja ‘hidh gurin dhe fshih dorën’

Nga Arben Rrozhani

 

Qeveria shqiptare vendosi të bllokojë dje ndërtimin e një HEC-i të vogël që shkatërron kanionin e Holtës në Gramsh. Përmes një shfaqjeje televizive ministrja e Insfrastrukturës dhe Energjetikës paralajmëroi anulimin e lejes për subjektin privat që ka arritur ta devijojë rrjedhën e lumit dhe të dëmtojë pa kthim bukuritë natyrore të kësaj zone dhe të ardhmen e zhvillimit të turizmit.

Nuk është e para herë. Madje janë bërë aq shumë, sa nuk numërohen dhe përherë ndodh i njëjti skenar: jepen lejet, nis ndërtimi, protestohet nga banorët e më pas edhe opozita dhe qeveria dorëzohet për të dalë si shpëtimtare, duke lëpirë atë që ka pështyrë.

Kështu ndodhi që në nëntor 2013, kur qeveria shqiptare, pasi kishte pranuar në fshehtësi asgjësimin e armëve kimike të Sirisë në Shqipëri, u detyrua, përmes protestave të shoqërisë civile, që të anulonte vendimin.

I njëjti skenar me pranimin e refugjatëve nga Lindja e Mesme dhe Azia, që do t’u refuzohej azili në vendet e BE-së, si të dyshuar për lidhje me ekstremistët islamikë. Qeveria, në këmbim të një po-je për hapjen e negociatave me vendet e BE-së, kërkonte që të blinte mbështetjen e vendeve kundërshtare, duke libanizuar vendin që po braktiset përditë e më shumë nga shtetasit e saj dhe kur i thanë 'jo' tha se nuk kishte një plan të tillë.

Koncesionet ekonomike janë më të prekshme për shqiptarët. Rasti i kanionit të Holtës, është ndër të fundit, por as i pari dhe as i fundit. Para tij, kanionet në Osum, një bukuri e veçantë natyrore dhe aset i mrekullueshëm për turizmin e rafting ku s’ka mbetur shqiptar dhe turist i huaj pa provuar adrenalinën, u rrëzikuan që të dëmtoheshin pa kthim nga ndërtimi i dy HEC-eve. U desh revolta e shoqërisë civile, ambientalistëve dhe figurave të njohura që qeveria të tërhiqej dhe të anulonte licensat për HEC-et. Fatkeqësisht nuk ndodhi kështu në rastin e Valbonës. ‘Gener2’, firma e Bashkim Ulajt, arriti të fitojë mbi të gjithë dhe ndërtimi i HEC-eve atje është punë e mbaruar, megjithëse banorët janë kundër dhe qeveria ‘Rama’ premtoi se do të rishikonte lejet e dhëna nga qeveria ‘Berisha’.

I njëjti biznesmen dyshohet se qëndron pas skandalit të Unazës së Madhe në Tiranë, ku kompania ‘DH Albania’ përdori dokumente të falsifikuara për të fituar projektin 18 milionë euro nga ARRSH dhe rreth 12 milionë euro nga OST për ndërtimin e një linje transmetimi të energjisë elektrike. Ish-ministri Gjiknuri u distancua nga afera dhe me ngazëllim njoftoi se kontrata u anulua, kompania do të paditej në prokurori dhe do të ribëhej tenderi. Këto të gjitha ndodhën, por është fëminore të pranohet se një recepsionist ua kishte hedhur ‘ujqërve’ të tenderave në ARRSH dhe në Ministrinë e Energjetike dhe Transporteve.

Publiku shqiptar ka parë dhe do të shohë shumë nga këto shfaqje qeveritare dhe nuk beson më në përgjërimet e zyrtarëve të saj se nuk dinin dhe sa u dhemb shpirti për mirëqenien e popullit. Prandaj, të paktën, le t’i lënë shfaqjet televizive, sepse janë lehtësisht të identifikueshëm si mjeshtra të praktikës ‘hidh gurin dhe fshih dorën’.

Sondazh

Article Logic
Execution time: 0.0047481060028076
array(1) { ["section"]=> string(43) "qeverisja-hidh-gurin-dhe-fshih-doren-150437" }