Spitali Universitar i Traumës është pajisur me dy pajisje të reja që janë shërbimi i ekzaminimeve imazherike CT Scan dhe shërbimi modern i Telemjekësisë. Përurimi i tyre u bë sot në një ceremoni ku ishin të pranishëm Ministri i Shëndetësisë Ilir Beqaj dhe drejtori i Agjencisë të Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID), Marc Ellingstad.
Shërbimi modern i Telemjekësisë ka si qëllim që të ndihmojë në trajtimin e specializuar të rasteve të traumës që raportohen nga spitalet rajonale në vend, pa pasur nevojë që pacientët të vijnë në Tiranë. Nëpërmjet kësaj teknologjie sigurohet një konsultë mjekësore duke shqyrtuar të dhënat elektronike të pacientit. Mjekët e specialiteteve që do të përfshihen në Shërbimin e Telemjekësisë do të kenë mundësinë e konsultimit profesional mjekësor me njëri- tjetrin, për të vënë në shërbim të pacientit eksperiencën profesionale. Ndërsa shërbimi ekzaminimeve imazherike ose skaneri i ri rrit kapacitetet diagnostikuese për traumat.
Gajtë këtij takimi të zhvilluar në Qendrën e porsangritur të Telemjekësisë, kreu i shëndetësisë falenderoi përzemërsisht për mbështetjen e pakursyer dhe bujare që USAID-i dhe populli amerikan kanë dhënë për përmirësimin e kujdesit shëndetësor në Shqipëri nëpërmjet zhvillimeve inovative në këtë sektor në Shqipëri, dhe veçanërisht, në fushën e telemjekësisë dhe shëndetit elektronik, duke siguruar partnerët e këtij programi pesë-vjeçar se Ministria e Shëndetësisë, është plotësisht e vendosur ta mbështesë këtë program edhe pas përfundimit të financimit të ofruar nga USAID-i.
“Ministria e Shëndetësisë, është plotësisht e vendosur që ta mbështesë këtë program edhe pas përfundimit të financimit të ofruar nga USAID-I”, shprehet Beqaj.
“Besoj se brenda qershorit do të arrijmë të vemë në punë edhe rezonancën magnetike, do t’ia shtojmë përsëri fuqinë diagnostikuese këtij spitali, duke u përpjekur të mbyllim ciklin e plotë të diagnostikës brenda spitalit, në raste traumash”, tha Ministri i Shëndetësisë.
Ai ka përmendur gjatë fjalës së tij edhe shërbimet e fundit që janë ofruar në QSUT.