Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat ka reaguar pas publikimit të një video në rrjetet sociale ku dallohet një makinë që shkarkon qese me ndihma në Ministrinë e Brendshme.
SHÇBA sqaron se pakot me ndihmat e “Fundjavës Ndryshe” janë ato të cilat u sekuestruan gjatë operacionit katër ditë më parë ku u arrestuan në flagrancë 2 punonjës policie, 1 punonjës i Shërbimit Zjarrfikës, si edhe u proceduan penalisht 2 shtetase për grabitjen e ndihmave të destinuara për të prekurit nga tërmetet.
ShÇBA thotë se pakot e sekuestruara janë magazinuar në Ministrinë e Brendshme.
Reagimi i plotë: SHÇBA - Sqarim
Lidhur me pamjet filmike të publikuara në rrjete sociale e më pas në disa media online, ku shfaqen punonjës të Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat (SHÇBA) që shkarkojnë disa pako, sqarojmë se:
Pakot me ndihma janë prova materiale të sekuestruara në operacionin e datës 28.11.2019, ku u arrestuan në flagrancë 2 punonjës policie, 1 punonjës i Shërbimit Zjarrfikës, si edhe u proceduan penalisht 2 shtetase për veprat penale të “Mashtrimit” dhe “Shpërdorimit të detyrës”.
Procedimi i shtetasve të mësipërm u krye pas hetimeve të zhvilluara në lidhje me publikimin e një video në media, ku shfaqeshin pamje të transportimit e përvetësimit të një sasie të konsiderueshme pakosh ushqimore (të sekuestruara në cilësinë e provës materiale) të destinuara për banorët e prekur nga situata e tërmetit.
Me urdher te Prokurorise, të gjitha provat materiale të sekuestruara gjatë këtij operacioni janë magazinuar pranë magazinës së Drejtorisë së Përgjithshme të SHÇBA-së, ku është mbajtur proces-verbali përkatës.
Drejtoria e Pergjithshme e SHÇBA, e cila po heton rastin konkret i ka zyrat në godinën e Ministrisë së Brendshme.
SHÇBA apelon mediat të kontaktojne per te marre informacion zyrtar per lajme qe lidhen me Sherbimin, per te shmangur dizinformimin e qellimshem te publikut.
SHÇBA fton qytetarët dhe mediat te denoncojne çdo rast abuzimi, duke vene ne dispozicion numrin falas 0800 90 90.
Video e momentit të shkarkimit të pakove: