Kryetarja e LSI-së Monika Kryemadhi ditën e djeshme ka qenë në një takim me banorët e Qesarakës në komunën Dajt, ku është njohur me problemet e banorëve të zonës.
Një prej banorëve i ka folur Kryemadhit për gjendjen ekonomike, ku është shprehur se sot qytetarët pinë vetëm 1 kafe në 2 ditë, ndërsa më përpara pinin 2 kafe në ditë.
Gjithashtu ai i tregoi kryetares së LSI-së edhe atë që i kishte thënë një shok i tiji, se ishte më e lehtë të udhëtonte me betoniere se sa me makinë të vogël, pasi të hapet rruga më shpejt dhe policët të respektojnë.
“Do ta filloj te çështja ekonomike. Po të shohësh tavolinat, të gjithë njerëzit, më përpara pinim 2 kafe në ditë, sot pimë një kafe në 2 ditë. Është e tmerrshme. Një shok shkonte në 3-4 punë dhe thotë më mirë të udhëtoj me një betoniere se i hapet rruga më përpara, polici e respekton më shumë, ecën më shpejt se sa një makinë e vogël, ka edhe më pak kosto”, u shpreh qytetari.