RAMA, BASHA, META DHE I ZOTI I TRAPIT!

Publikuar tek: pa-stres, më 09:24 12-06-2019 RAMA, BASHA, META DHE I ZOTI I TRAPIT!

Nga Edi Oga ekskluzivisht për newsbomb.al *Ndalohet kopjimi dhe riprodhimi i këtij materiali

Në mes të një vendi identik si ky i yni, kalonte një lumë me emrin Kriza. I vetmi që ndihmonte njerëzit të kalonin krizën, ishte një mesoburrë që kishte një trap. Megjithëse punonte gjithë ditën, kishte mbetur po fukara.

Një ditë në buzë të krizës u shfaqën tre njerëz me rroba të shtrenjta. Një i shkurtër me një libër në dorë, një i gjatë me flokë të lyera dhe një shumë i gjatë me poture japoneze. I zoti i trapit i njohu menjëherë. Ishin liderat shqiptarë. Ishte Meta, Basha dhe Rama. Edhe për të, si për të gjithë të tjerët, jeta ishte vetëm bukë dhe televizor. Ah, edhe ajo loja me gruan, që herë bën fëmijë, herë jo.

"Duam të kalojmë krizën", foli Meta, "na ndihmon dot?"

"Patjetër, unë këtë punë kam!", ia ktheu trapisti.

"Para nuk kemi të të paguajmë, se i ka vjedhur ky!", foli Basha.

"Fillove ti artist? Po paratë e rrugës së kombit?!", u hodh Rama.

Duke parë se gjendja po acarohej, trapisti i ndërpreu shpejt:

"Prisni sa t'ju kaloj matanë! Atje zihuni dhe vrituni po deshët! Vetëm se ka një problem, trapi mban vetëm dy veta. Do më duhet t'ju kaloj një nga një!"

"Nuk ke shanse! Po të mbeten vetëm këta të dy, bëjnë marrëveshje si në 17 Maj 2017dhe më spostojnë mua!", kërceu Meta!

"As unë nuk dua që këta të dy të mbeten vetem, si tek dreka sekrete, sepse mund të bëjnë përsëri aleancë qelbësirash si në 13 Prill 2013 dhe më groposin!"

"Mos e dhëntë zoti që këta të dy të mbeten vetëm, se bashkojnë votat dhe ma fusin si në 2009-n dhe 2011-n"!

Trapisti nuk u dorëzua:

"Ore unë kam nxjerrë matanë ujkun dhinë dhe lakrën, mos ju nxjerr juve që jeni burra leshi... ndjesë shteti!"

Tre liderat filluan të diskutojnë për një mënyrë se si do kalonin krizën. Filluan me qetësi dhe dashuri, por shpejt gjakrat u nxehën dhe filluan me sharje dhe ofendime. I gjati shtynte përpara të shkurtrin që të qëllonte atë të gjatin fare me bllok, por i gjati fare hapi gojën, u fryu ajër dhe pështymë dhe për pak i mbyti.

Trapisti u mërzit e u lodh duke i parë që liderat ziheshin si vajza adoleshente dhe asnjëri nuk e godiste tjetrin si burrë. Dikur u ngrit në këmbë dhe foli:

"Boll më se nuk po ju duroj dot! Ja ku e keni trapin. Sajohuni si të doni dhe kalojeni krizën. Mua deri këtu më kishit!"

Liderat e lanë sherrin, kërcyen të tre njëkohësisht mbi trap dhe u nisën. Trapisti nuk pati kohë të mbledhë veten se ndërkohë ata i kishin bërë disa metra.

"Eej ku shkoni?! Jeni në rrezik! Trapi mban vetëm dy veta dhe kriza është e thellë!"

Liderat nuk ia vunë veshin. Secili filloi të rremojë për qejf të vet, me sa fuqi kishte. Trapi nuk ecte përpara, porse rrotullohej në vend,në mes të krizës. Nga pesha dhe rrotullimet, në një moment trapi filloi të fusë ujë dhe po zhytej!

Trapisti krahëkëputur u ul rrëzë një peme (ok...një kulle), ndezi një cigare dhe pëshpëriti:

"E kam vetë fajin. E dija, që këta të tre do ma çanin trapin!"

Sondazh

Article Logic
Execution time: 0.029838085174561
array(1) { ["section"]=> string(42) "rama-basha-meta-dhe-i-zoti-i-trapit-167904" }