Rama homazhe për Sabri Godon: S'jam i duhuri të vlerësoj kontributin e 'gjarpëroshit mendjemprehtë', atij i dukej ironike që unë 'gjatoshi gjuhëshpatë'...

Publikuar tek: aktualitet, më 12:37 08-08-2020 Rama homazhe për Sabri Godon: S'jam i duhuri të vlerësoj kontributin e 'gjarpëroshit mendjemprehtë', atij i dukej ironike që unë 'gjatoshi gjuhëshpatë'... Fotomontazh: Edi Rama - Sabri Godo

Kryeministri Edi Rama ditën e sotme me i ka bërë homazhe Sabri Godos, politikanit të ndjerë shqiptar, që sot do të mbushte 91 vjeç.

Ai thotë se me Plakun Godo kishte një simpati reciproke në distancë bashkë me rezervën për përkatësinë në kampe të kundërta politike.

Sipas Ramës, Godos i dukej ironike që "gjatoshi gjuhëshpatë" i Lëvizjes Studentore, të ishte majështiza e ombrellës rozë të socialistëve, ndërsa Ramës dukej satirike që Sabri Godo, "gjarpëroshi mendjemprehtë" i Shqipërisë letraro-politike, të ishte fundbishti i ombrellës blu të demokratëve.

Kryeministri shprehet se nuk është i duhuri të vlerësojë kontributin e Sabri Godos, duke u shprehur se gjithmonë e ka admiruar për librin "Ali Pashë Tepelena".

Postimi i Ramës:

SABRI GODO do të kishte vetëm 91 vite sot, e kur ishte ende shumë larg kësaj moshe, të tërë e thërrisnin, Plaku Godo. Në fakt nuk ishte Sabriu plak, por ishin shumë kalamaj mesoburrat e politikës adoleshente të atyre viteve të tranzicionit shqiptar.

E kam njohur pak Plakun Godo, por kishim një simpati reciproke në distancë, bashkë me rezervën për përkatësinë në kampe të kundërta politike. Atij i dukej ironike që unë, "gjatoshi gjuhëshpatë" i Lëvizjes Studentore, të isha majështiza e ombrellës rozë të socialistëve, mua më dukej satirike që ai, "gjarpëroshi mendjemprehtë" i Shqipërisë letraro-politike, të ishte fundbishti i ombrellës blu të demokratëve. Kjo në fakt tregon që simpatia për personazhin e tjetrit ishte prej vërteti dhe më kujtohet njëherë, kur Plaku Godo erdhi tek unë në bashki për të zbutur një situatë konflikti politik, e vetmja pjesë ku u morëm vesh ishte admirimi im për librin e tij "Ali Pashë Tepelena" dhe admirimi i tij për punën time në bashkinë e Tiranës. E vetmja nuancë në këmbimin e admiratave, ishte se unë, "gjatoshi", i tregova Plakut mbresat e mia për Aliun e tij të jashtëzakonshëm, ndërsa ai, "gjarpëroshi", më tregoi mua mbresat e jashtëzakonshme të zonjës së tij fisnike për punën e kryebashkiakut.

Nuk jam unë njeriu i duhur për të vlerësuar kontributin e Sabri Godos në politikën shqiptare. Dua s'dua, s'mund të jem dot objektiv. Prandaj le të mos ma marrë kush për keq kur them se Plakun Godo do ta kujtojnë, me respekt padyshim, ata që e njohën e ndonjë tjetër që do ta njohë më tutje - ndokush që do të ketë taksiratin të bëjë ndonjë studim për skenën e rrëmetshme politike të kohës. Por pikë dyshimi nuk kam se autorin e kamares së hatashme biografike të "Ali Pashë Tepelenës", do ta admirojnë brezat e lexuesve dhe lëvruesve të letrave shqipe.

Sondazh

Article Logic
Execution time: 0.0099911689758301
array(1) { ["section"]=> string(152) "rama-homazhe-per-sabri-godon-s-jam-i-duhuri-te-vleresoj-kontributin-e-gjarperoshit-mendjemprehte-atij-i-dukej-ironike-qe-une-gjatoshi-gjuheshpate-216481" }