Kryeministri Edi Rama i ka dalë në mbrojtje botuesit Carlo Bollino dhe bashkëshortes së tij Alba Malltezit, pas akuzave të Presidencës në drejtim të tyre.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Rama shkruan se sulmi i presidentit Ilir Meta ndaj çiftit Bollino-Malltezi është skandaloz. Sipas tij kjo tregon një tjetër zhytje e Presidentit në bozën e vulgaritetit, brutalitetit e antishtetit.
"Sulmi skandaloz i Ilir Metës mbi Alba Malltezin, bashkëshorten e Carlo Bollinos, është një tjetër zhytje e presidentit të republikës në bozën e vulgaritetit, brutalitetit, antishtetit! Çfarë dreqin do akoma nga Shqipëria ky njeri që ka marrë më shumë se kushdo në historinë e saj!" shkruan Rama.
Më tej kryeministri Rama nuk ka nguruar të lavdërojë profesionalizmin e Carlo Bollinos dhe gruas të tij, duke shkruar se ata i shërbejnë publikut me kurajon e tyre.
"I vetmi faj i Alba Malltezit dhe Carlo Bollinos është se i shërbejnë publikut me kurajon e me profesionalizmin e tyre dhe Ilir Meta është i fundit shqiptar në planet që mund t'i kërkojë hesap kujtdoqoftë, jo më Albës e Carlos, për si i sigurojnë të ardhurat e tyre!Çfarë katandie!" përfundon Rama.
Kujtojmë se prej disa ditësh, Presidenca ka sulmuar fortë Bollinon, bashkëshorten dhe një gazetar në median e tij, pasi kanë publikuar disa artikuj që e akuzojnë Metën për shkelje të rënda me dhënien e disa qindra nënshtetësive.