Kryeministri Edi Rama ka thënë sot se hapja e dosjeve është një detyrim për te gjithë ata që vuajnë nga përndjekja e regjimit diktatorial. Rama tha se ka ardhur momenti për tu bërë një gjë e tillë dhe se qeveria e kaluar, i ka përdorur dosjet për presion duke mos i trajtuar si çështje themelore.
“Hapja ose moshapja e dosjeve nuk ndryshon parametrat ekonomikë të vendit, nuk ndryshon dhe mbase shumëcka tjetër në rrugën e përpjekjeve për të adresuar gjërat që duhet të ndryshojnë është një detyrim që ne e kemi ndaj të gjithë atyre që vuajtën përndjekjen e regjimit të shkuar”, ka thënë Rama.
Kryeministri u shpreh se qeveria e kaluar i vuri kapak çëshjtes dhe krijoi shumë zhurmë dhe alibi. Ai tha se hapja e dosjeve është një vlerë për lirinë në sytë e atyre që nuk e kanë përjetuar komunizmin.
“Është një proces që Shqipëria nuk mund ta shmangë më tutje dhe i jep dinjitet aspiratës sonë që kërkon të jetojë e lirë në demokracinë e sotme, proces që kontribuon në dhënien e një vlere të plotë për lirinë në sytë e atyre që nuk e kanë jetuar komunizmin në sytë e atyre që si djali im e kanë të pamundur ta parafytyrojnë cka është dëgjuar për atë kohë” tha kryeministri Rama.