Kryeministri Rama ka zhvilluar mbrëmjen e sotme takimin e fundvitit me ambasadorët e vendeve të huaja të akredituar në Tiranë, ndërsa theksi i fjalës së tij ka qenë situata pas tërmetit të 26 nëntorit.
Rama është shprehur ndër të tjera se gjatë këtyre dy javëve është ndjerë më i vogël se Erion Braçe përballë heronjve të heshtur të tragjedisë që kanë nxjerr njerëz nga rrënojat, duke iu referuar ekipeve të kërkim-shpëtimit nga gjithë vendet mike të Shqipërisë.
“Kam dy javë që ndihem shumë herë më i vogël se Erion Braçe, edhe sot, edhe më i vogël përballë shembullit të gjithë atyre heronjve që ishin këtu mes nesh, që siç erdhën ikën, si ëngjëj mbrojtës që u shfaqën dhe u zhdukën dhe këtu. Nuk bëhet fjalë për lartësi as fizike dhe as politike. Por bëhet fjalë për atë që thotë Shën Pali ishte ndjesia e brendshme. Ekziston një varg që është i njëjtë në të gjithë librat e shenjtë. Kush shpëton një jetë ka shpëtuar të gjithë njerëzimin. Nuk e di çfarë mund të thuhet për ata që kanë shpëtuar më shumë se një jetë. Por di që çka ata bënë dhe çka ata e bënë para syve tanë do të luajë më shumë rol në gjithë konstitucionin tonë në raport me Europën”, ka thënë Kryeministri Edi Rama.