Pas seancës në Gjykatën e Lartë, me deputetin e Partisë Demokratike Arben Ristanin, kryeministri Rama ka deklaruar para mediave se ka ardhur koha t’i jepet fund politikës shpifëse.
“Kjo është koha t’i japim fund politikës që jeton me shpifje pasi politika e shpifjes çorodit opinionin publik duke dëmtuar dhe turpëruar Shqipërinë në sytë e ndërkombëtarëve. Unë do bëj gjithcka kam në dorë në këtë betejë mes europës dhe mesjetës, mes të ardhmes dhe së shkuarës “, u shpreh kryeministri Rama.
Menjëherë pas tij ka folur edhe deputeti Arben Ristani i cili tha se PD nuk ka pse tërheq akuzat ndaj Ramës pasi ato janë të vërtetuara.
“Qëndrimi publik i Partisë Demokratike është i bazuar në dokumenta zyrtarë dhe provave që tregojnë qartë inkriminimin e kësaj qeverie”, u shpreh Ristani.
Kryeministri Rama ka bërë kallëzim penal ndaj dy deputetëve të PD, Edi Paloka dhe Arben Ristani të cilët i ka akuzuar për shpifje pas akuzave të bëra nga deputetët se qeveria me në krye Ramën është e lidhur me krimin.
Rama ka deklaruar më herët se do ta ndjekë deri në fund këtë çështje sepse sipas tij, publiku meriton të dijë të vërtetën.