Rama njihet si një ndër politikanët më të ‘vështirë’ me gazetarët, i cili shpesh nuk u përgjigjet, i ironizion apo dhe ofendon.
Gjatë ditës së djeshme Rama ka zhvilluar një vizitë zyrtare në Zvicër, ku ka takuar Presidenten e këtij vendi, Doris Leuthard. Mirëpo, jo gjithçka ka shkuar mirë për kreun e qeverisë.
Gazeta zvicerane “Le Temps” shkruan se ai është 'kapur' me një gazetar zviceran në konferencën e përbashkët për mediat.
Shkak është berë një pyetje “provokative” e gazetarit. Ai e ka pyetur Ramën për ish-efektivin e Policisë së Vlorës, Dritan Zagananin, i cili ka marrë azil në Zvicër dhe që ka akuzuar ish-ministrin Tahiri se ka patur lidhje me trafikun e drogës.
“Vizita juaj vjen në një moment kur Zvicra ka dhënë azil politik për herë të parë për një ishdrejtor policie që denoncoi bashkëpunimin e zyrtarëve të lartë të shtetit shqiptar me trafikantët e drogës, përfshirë edhe kryeministrin. A ishte kjo temë e bisedimeve me Presidenten Leuthard?”, e pyeti gazetari Ramën.
“Gazetarët qenkan njësoj, si në Zvicër ashtu edhe në Shqipëri. Kjo qenka fantastike”, i është përgjigjur rama me ironi, duke mos dhënë një përgjigje të drejtpërdrejtë në lidhje me pyetjen e bërë.
Më pas është përgjigjur presidentja zvicerane, e cila ka thënë se mbështet përpjekjet e qeverisë për luftuar kultivimin e drogës.