Ish-deputetja e PD Grida Duma ka ironizuar vendimin e kryeministrit Edi Rama i cili ka rikthyer para kryeministrisë “Kërpudhën Gjigante me Tri Pjesë” të dëmtuar nga prostesta e opozitës një vit më parë, kjo një vepër arti, dhuruar nga autori Carsten Höller.
Duma shkruan se në kohë pandemie, tërmeti e rrrënimi ekonomik “qeveria i kthen shpinën çdo problemi dhe merret me hobet personale”.
“Në kohë pandemie, tërmeti, rrënimi ekonomik, pamundësisë për të mbijetuar duke emigruar, qeveria i kthen shpinën çdo problemi dhe merret me hobet personale”, shkruan Duma.
Kurse Rama shkruante se kërpudha është rikthyer dhe është 1 metër më e lartë se ç’ishte. “Pas shkatërrimit të saj nga molotovarët e pranverës së shkuar, KËRPUDHA e artisit të mirënjohur bashkëkohor Carsten Holler, dhuruar prej tij nga koleksioni i famshëm i disa muzeve prestigjozë të botës, është rikthyer në vendin e vet 1 m më e lartë se ç'ishte.
Karakteristika e kësaj kërpudhe është se kur goditet rritet, kështu që kush e sulmon duhet ta mësojë se vetëm e lartëson”, shkruan Rama.